Universiteti i Mitrovicës së Veriut i mohon akuzat e pedagogëve për ndikim politik

Kolegji i Rektorit të Universitetit të Mitrovicës së Veriut, i cili vepron sipas sistemit të Serbisë, ka thënë se komuniteti akademik nuk duhet të shndërrohet në hapësirë për përplasje politike, duke shtuar se rektori, prorektori dhe drejtuesit e fakulteteve të tij i kryejnë detyrat e veta “me ndërgjegje dhe përgjegjësi”.

Ky reagim vjen pasi 24 pedagogë, mes tyre edhe kandidatë nga Lista Studentore që i fitoi zgjedhjet në Serbi, kanë kërkuar dorëheqjen e rektorit dhe prorektorit, për shkak të “cenimit të autonomisë së Universitetit, presionit politik ndaj punonjësve dhe lejimit të ndikimit partiak”.

“Vlerësojmë se drejtuesit e Universitetit, me veprimet e tyre, kanë rrezikuar liritë akademike, dinjitetin e profesionit të mësimdhënësit dhe të ardhmen e një institucioni me rëndësi të jashtëzakonshme për mbijetesën e popullit serb në Kosovë dhe Metohi”, thuhet në kërkesën e grupit të pedagogëve të Universitetit të Mitrovicës së Veriut.

Megjithatë, Kolegji i Rektorit nguli këmbë se funksionet drejtuese në universitet “nuk janë objekt i ndarjes politike, por i përgjegjësisë akademike dhe institucionale”.

“Nëse të gjithë angazhohemi për ruajtjen e autonomisë së Universitetit, atëherë duhet ta mbrojmë atë nga ndikimet e ndryshme politike, duke respektuar në mënyrë të vazhdueshme ligjin, kriteret akademike dhe procedurat institucionale, e jo ta shndërrojmë në një arenë të përplasjeve politike”, thuhet në reagim.

Lidhur me akuzat se ka mbështetur qëndrimet dhe vendimet e Listës Serbe, si dhe se ka ushtruar trysni ndaj punonjësve për të siguruar mbështetjen e Partisë Progresive Serbe dhe ish-presidentit Aleksandar Vuçiq, Universiteti i Mitrovicës së Veriut tha se respektimi i politikës shtetërore dhe i kornizës institucionale të Serbisë dallon nga veprimtaria partiake.

“Veprimi në përputhje me politikën shtetërore dhe kornizën ligjore në fuqi nuk mund të interpretohet vetvetiu si angazhim politik apo keqpërdorim i funksionit akademik”, thuhet në reagim.

Zyrtarë të lartë të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, janë pjesë e Universitetit të Mitrovicës së Veriut, i cili, pas zhvendosjes nga Prishtina në vitin 1999, vazhdoi të veprojë në sistemin e Serbisë.

Tanja Vujoviq, njëherësh nënkryetare e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës Serbe, është dekane e Fakultetit Ekonomik, ndërsa kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, është prodekan i Fakultetit të Mjekësisë.

Por kandidatët e Listës Studentore, dhe grupi i pedagogëve që i mbështet ata, vlerësojnë se rezultatet e zgjedhjeve në Serbi treguan se qytetarët votuan për ndryshime, ndërsa Universiteti i Mitrovicës së Veriut, në vend që t’i mbështeste studentët që nisën protestat kundër Qeverisë serbe, kishte mbështetur pushtetin.

Kolegji i Rektorit të Universitetit, nga ana e tij, shton se bindjet politike të individëve nuk kanë qenë as privilegj dhe as pengesë në zbatimin e procedurave akademike.

Ai rikujton se përfaqësuesit e themeluesit në Këshillin e Universitetit emërohen nga Qeveria e Serbisë dhe se vetë universiteti nuk merr pjesë në procesin e propozimit dhe përzgjedhjes së këtyre anëtarëve.

Sipas të dhënave të publikuara në uebfaqen e Universitetit të Mitrovicës së Veriut, të paktën pesë anëtarë të Listës Serbe, duke përfshirë kryetarin e saj, Zllatan Ellek, janë pjesë e Këshillit të Universitetit si përfaqësues të Serbisë.

Një nga anëtarët e këtij Këshilli është edhe Goran Rakiq, ish-kryetar i Listës Serbe, i cili ishte edhe deputet në Kuvendin e Serbisë nga radhët e Partisë Progresive Serbe.

Këshilli i Universitetit është organ drejtues dhe përbëhet nga 19 anëtarë: 10 përfaqësues të fakulteteve, gjashtë përfaqësues të themeluesit, pra të Qeverisë së Serbisë, dhe tre përfaqësues nga radhët e studentëve. /rel