Lushaku-Sadriu: Raporti i BE-së, ndër më të dobëtit historikisht për Kosovën
Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar rezultatet e Kosovës në raportin e fundit të Bashkimit Evropian, duke e cilësuar atë si një nga raportet më të dobëta që nga fillimi i publikimit të tyre.
Ajo ka thënë se raporti pasqyron dështimet e vazhdueshme të shtetit në disa fusha, duke theksuar se përgjegjësia për mungesën e progresit nuk mund t’i atribuohet vetëm krizave politike.
“Ky raport ishte ndoshta më i dobëti për nga rezultatet, historikisht prejse ka filluar publikimi i raporteve. Është përsëritje e dështimeve që shteti ynë i ka bërë në çdo fushë, edhe për shkak të krizave politike. Por të mos harrojmë që Qeveria ishte në detyrë dhe askush nuk e ka ndaluar Qeverinë tonë që t’i përmbushë këto kushte, të ndërmarrë reforma dhe t’u përgjigjet kërkesave të qytetarëve me dëshirën më të mirë që Kosova të ecë në rrugën e saj drejt BE-së”, ka deklaruar Lushaku-Sadriu nga foltorja e Kuvendit, transmeton Klankosova.tv.
Deputetja e LDK-së ka veçuar shprehjen “progres i kufizuar” në raportin e BE-së, duke thënë se kjo pasqyron mungesën e përparimit pikërisht në fushat më të rëndësishme për jetën e qytetarëve dhe funksionimin demokratik të shtetit.
“Fjalia më e mirë është ‘progres i kufizuar’, në fushat të cilat janë jetike për jetën e qytetarëve të Kosovës. Duke nisur nga kriteret demokratike të funksionimit të institucioneve tona, kritere që do të duhej të ishin të nënkuptueshme për shtetin tonë, ndërhyrja e politikës në gjyqësor, mosrespektimi i vendimeve të Kuvendit nga Qeveria, mosrespektimi i vendimeve kushtetuese dhe mosrespektimi i afateve”, ka thënë ajo, transmeton Klankosova.tv.
Lushaku-Sadriu ka vlerësuar se këto probleme cenojnë drejtpërdrejt rendin kushtetues dhe funksionalitetin e institucioneve të vendit.
“Krejt këto e prishin rendin kushtetues të vendit tonë. Janë shqetësim përtej çdo shqetësimi, sepse prekin thelbin kushtetues dhe funksionalitetin e vendit tonë”, shtoi ajo.