22 të arrestuar për bixhoz të paligjshëm në Prizren, Suharekë dhe Dragash
Një operacion kundër organizimit të lojërave të paligjshme të fatit, i zhvilluar në rajonin e Prizrenit, ka rezultuar me arrestimin e 22 personave.
Sipas njoftimit të përbashkët të Prokurorisë Themelore në Prizren dhe Policisë së Kosovës, operacioni është realizuar të mërkurën në mbrëmje, më 4 nëntor, në kuadër të planit operativ “Bixhozi”, pas hetimeve të zhvilluara për një periudhë të gjatë, transmeton Zeri.info.
Gjatë operacionit janë kontrolluar 20 lokacione, duke përfshirë lokale afariste dhe shtëpi banimi, në tri komuna: Prizren, Suharekë dhe Dragash.
Në këto lokacione janë sekuestruar prova të ndryshme, duke përfshirë rreth 10 mijë euro para të gatshme, pajisje elektronike, katër armë zjarri dhe municion.
Prokuroria ka bërë të ditur se 22 personat e arrestuar janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës. Me vendim të prokurorit, 19 prej tyre janë ndaluar për 48 orë, ndërsa tre të tjerë janë liruar dhe do të hetohen në procedurë të rregullt.
Të dyshuarit dyshohet se kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, nga Neni 294, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Operacioni është udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Prizren dhe është realizuar nga Sektori Rajonal i Hetimeve, me mbështetjen e njësive të tjera policore të rajonit. /Zëri