Ish-aleatja e Trumpit kërkon përjashtimin e tij nga republikanët: E ka shkatërruar partinë

Ish-kongresistja republikane, Marjorie Taylor Greene, dikur një nga aleatet më të afërta të presidentit amerikan Donald Trump, ka bërë thirrje që ai të përjashtohet nga Partia Republikane.

Në një reagim në rrjetin social X, Greene deklaroi se partia duhet të distancohet nga Trumpi nëse dëshiron të ketë perspektivë politike në të ardhmen.

“Nëse Partia Republikane dëshiron të ketë çfarëdo shansi në të ardhmen, do të duhet ta përjashtojë Donald Trumpin. Ai e ka shkatërruar plotësisht partinë”, shkroi Greene.

Ajo kritikoi gjithashtu drejtimin e partisë, duke thënë se ajo është bërë e orientuar drejt luftërave, korrupsionit dhe interesave të korporatave, ndërsa nuk përfaqëson më vlerat konservatore të votuesve të saj.

Greene shprehu dyshime se republikanët do të guxojnë të kthehen kundër presidentit, duke paralajmëruar se vazhdimi i mbështetjes për të mund t'i kushtojë partisë humbje në nivel kombëtar për dekada të tëra.

“Shumë republikanë të zgjedhur kanë fituar vetëm falë mbështetjes së tij”, theksoi ajo.

Sipas Greene, edhe anëtarët e administratës Trump do të vazhdojnë të qëndrojnë besnikë ndaj presidentit dhe ta mbrojnë atë, me shpresën se do të përfitojnë falje presidenciale.