Lansohet platforma “NOËL 2026”, parashihen 15 aktivitete deri më 26 dhjetor

Është lansuar platforma “NOËL 2026”, një koncept që organizohet për herë të parë në Kosovë dhe që ndërtohet mbi një protokoll të veçantë, ku respekti për hapësirën, traditën dhe të gjithë pjesëmarrësit janë pjesë thelbësore e organizimit.

Ky edicion do të përfshijë 15 aktivitete deri më 26 dhjetor, në kohën e Krishtlindjeve, ku do të ndërthuren muzika, kultura dhe tradita.

Motoja e këtij eventi është “Të ndryshëm me tradita, të bashkuar në respekt”.

Përfaqësuesi i “A Menagment” tha se ky aktivitet kulturor synon të promovojë paqen, bashkëjetesën dhe traditën shqiptare.

“Ky aktivitet kulturor që do ta promovojë të kundërtën e dhunës, paqen, bashkëjetesën, traditën shqiptare që na e kemi, do të organizohet në frymën e Krishtlindjeve në Kosovë, por fillon që tani me 15 aktivitete të ndryshme, përfshi edhe aktivitetet sociale, bamirëse dhe kulturore në Prishtinë dhe përfundon me 26 dhjetor në kohën e Krishtlindjeve, me një eveniment special, me një performancë të artezre që do ta promovojnë paqen, bashkëjetesën edhe tolerancën në Kosovë, që shqiptarët të jenë shembull për këtë”, tha ai.

Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, bëri të ditur se aktiviteti do të mbahet në qendrën kulturore “Bogdani Polis”.

Ai tha se në kuadër të këtij organizimi do të ketë performanca të DJ-ve të rinj nga Evropa, duke theksuar se eventi do të zhvillohet sipas një protokolli të veçantë.

“Performanca e DJ-ve të rinj nga Evropa që performojnë këtu, do të jetë me një me një protokoll të veçantë duke respektuar edhe institucionin. Do të mbahet në Qendrën Kulturore Bogdani Polis, që është sallë e posaçme koncertale e për organizime të ngjashme. Ekipi, menaxhmenti është krenar që kryeqyteti ka mundësi t’ia dhurojë një eveniment të tillë rinisë së Prishtinës. Edhe kryeqyteti e meriton një performancë të tillë të ngritet një nivel tjetër qysh synon edhe Prishtina”, tha Rama.