Këngëtarja thotë se iu censurua paraqitja në Akordet e Kosovës

Edicioni i këtij viti i Festivalit të Këngës në RTK, që erdhi me emrin Akordet e Kosovës, nuk ka shkuar ashtu si shkëlqimi në skenë.

Pas raportimeve se gazetarët nuk janë lënë të ndjekin festivalin nga prapaskenat, një artiste tjetër, e cila ka marrë pjesë, ka thënë se performanca e saj është censuruar, duke iu referuar një mesazhi që dha në skenë në natën e parë të performancës, shkruan Zeri.info.

Fjala është për Olimpia Smajlin, e cila garoi me këngën “Amanet”, siç ka thënë vetë ajo, një këngë kushtuar grave shqiptare e me të cilën ka fituar çmimin “teksti më i mirë” në Akordet e Kosovës.

Por në një postim të bërë në Instagram ajo e ka cilësuar performancën e saj në festival, e cila është publikuar në Youtube, si të “censuruar”.

“A e keni shikuar (tani të censuruar) performancën e ‘Amanet’?”, shkroi këngëtarja në Instagramin e saj, ku publikoi foto bashkë me linkun e këngës së saj.

Ndonëse këngëtarja nuk e ka cekur për cilën pjesë të censurimit bëhet fjalë, “Zëri” ka mësuar se ajo i është referuar mesazhit që dha në natën e parë të festivalit, ku kërkoi drejtësi për vrasjen e Arlinda Zekajt, ku edhe ia dedikoi paraqitjen e saj, ndërsa në Youtube në kanalin zyrtar të RTK-së kjo pjesë është hequr nga performanca e saj e kjo pjesë në fund të performancës së saj nuk u ka pëlqyer organizatorëve të festivalit Akordet e Kosovës. /Zëri