Humbja e dëgjimit te bebet: Shenjat që prindërit nuk duhet t’i neglizhojnë
Diagnostikimi i hershëm i humbjes së dëgjimit te bebet mund të bëjë një ndryshim të madh në zhvillimin e të folurit, gjuhës, të nxënit dhe aftësive sociale. Prandaj, njohja e shenjave paralajmëruese dhe vlerësimi me kohë nga specialistët janë thelbësore.
Shumica e bebeve i nënshtrohen kontrollit të dëgjimit menjëherë pas lindjes. Megjithatë, problemet me dëgjimin mund të shfaqen edhe më vonë, ndaj prindërit duhet të vëzhgojnë reagimet e fëmijëve ndaj tingujve gjatë rritjes.ipas të dhënave nga SHBA-ja, rreth 1–3 në çdo 1.000 foshnja lindin me humbje të dëgjimit. Rreziku është edhe më i lartë te foshnjat që kanë qëndruar në njësitë e kujdesit intensiv neonatal.
Ndërhyrja e hershme është shumë e rëndësishme, idealisht para moshës gjashtë muajshe, pasi ndihmon fëmijët të zhvillojnë aftësitë e komunikimit dhe të arrijnë etapat e pritshme të zhvillimit, shkruan Baby Center, transmeton Gazeta Shneta.
Cilat janë shenjat e humbjes së dëgjimit?
Shenjat ndryshojnë sipas moshës dhe zhvillimit të fëmijës. Prindërit duhet të konsultohen me mjekun nëse vërejnë:
Nga lindja deri në tre muaj:
Bebja nuk trembet nga zhurmat e papritura dhe të forta.
Nuk reagon ndaj zërave, muzikës ose tingujve.
Nuk qetësohet nga tingujt e butë.
Deri në muajin e dytë nuk nxjerr tinguj zanorë, si “oh”.
Nuk qetësohet kur dëgjon zërat e personave të njohur.
Nga katër deri në tetë muaj:
Nuk e kthen kokën ose sytë drejt burimit të tingullit.
Nuk ndryshon shprehjen e fytyrës kur dëgjon zëra ose zhurma.
Nuk përpiqet të imitojë tinguj deri në muajin e gjashtë.
Nuk fillon të belbëzojë ose nuk reagon kur të tjerët i flasin.
Reagon ndaj dridhjeve, por jo ndaj tingujve që vetëm dëgjohen.
Nga nëntë deri në 12 muaj:
Nuk reagon kur e thërrasin në emër.
Nuk ndryshon intonacionin gjatë belbëzimit.
Nuk shqipton bashkëtingëllore të ndryshme, si m, p, b dhe g.
Nuk reagon ndaj muzikës.
Në moshën njëvjeçare nuk shqipton fjalë të thjeshta si “mama” dhe “dada”.
Nuk kupton fjalë ose udhëzime të zakonshme, si “eja këtu”.
Këto shenja nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht humbje të dëgjimit, por kërkojnë vlerësim profesional.
Cilat janë shkaqet?
Humbja e dëgjimit mund të jetë e pranishme që në lindje (e lindur) ose të zhvillohet pas lindjes (e fituar).
Ndër shkaqet kryesore janë:
Faktorët gjenetikë: Ndryshimet në gjenet e trashëguara nga prindërit mund të ndikojnë në zhvillimin e dëgjimit, edhe kur të dy prindërit dëgjojnë normalisht.
Infeksionet gjatë shtatzënisë: Citomegalovirusi (CMV), rubeola, toksoplazmoza dhe virusi herpes simplex mund të dëmtojnë dëgjimin e fetusit.
Lindja e parakohshme dhe pesha e ulët në lindje: Rrisin rrezikun, veçanërisht kur shoqërohen me komplikime neonatale.
Çrregullimet e zhvillimit të veshit: Ndryshimet në formimin e veshit të jashtëm, të mesëm ose të brendshëm mund të ndikojnë në dëgjim.
Sëmundjet dhe infeksionet: Meningjiti dhe infeksionet e tjera të rënda mund të shkaktojnë humbje të dëgjimit.
Disa barna: Antibiotikët aminoglikozidë, barnat e kimioterapisë dhe disa diuretikë mund të kenë efekte toksike në sistemin e dëgjimit.
Infeksionet e përsëritura të veshit: Grumbullimi i lëngjeve në veshin e mesëm mund të pengojë përkohësisht dëgjimin. Edhe dylli i tepërt ose objektet e huaja në vesh mund të shkaktojnë humbje të përkohshme të dëgjimit.
Si diagnostikohet dhe trajtohet?
Kontrolli fillestar i dëgjimit te të porsalindurit zakonisht kryhet në maternitet dhe zgjat rreth 5–10 minuta. Nëse nuk është realizuar, prindërit duhet të kërkojnë vlerësim brenda muajit të parë të jetës.
Në rast dyshimi, foshnja referohet te audiologu pediatrik, i cili kryen ekzaminime më të hollësishme.
Trajtimi varet nga lloji dhe shkalla e humbjes së dëgjimit. Mund të përfshijë aparate dëgjimi, implante kokleare, pajisje për përcjelljen e tingullit përmes kockave, tuba ventilues në daullen e veshit, barna ose ndërhyrje kirurgjikale.
Gjithashtu, ndërhyrjet për zhvillimin e dëgjimit dhe të folurit, si dhe mësimi i gjuhës së shenjave, mund t’i ndihmojnë fëmijët të komunikojnë dhe të zhvillojnë aftësitë gjuhësore.
Si mund të parandalohet humbja e dëgjimit?
Gjatë shtatzënisë rekomandohen kontrolle të rregullta prenatale, vaksinimi sipas udhëzimeve mjekësore dhe masat për parandalimin e infeksioneve.
Pas lindjes, prindërit duhet të sigurojnë vaksinimin e rregullt të fëmijës, të trajtojnë me kohë infeksionet e veshit dhe të mos fusin kurrë shkopinj pambuku ose objekte të tjera në kanalin e veshit.
Nëse prindërit dyshojnë se bebja nuk reagon siç duhet ndaj tingujve, nuk duhet të presin që fëmija të rritet. Vlerësimi i hershëm audiologjik mund të jetë vendimtar për zhvillimin e tij.