Dyshohet se ngacmoi seksualisht vajzën e tij, kërkohet paraburgim ndaj pejanit

Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi, i cili dyshohet për kryerjen e veprave penale kundër integritetit seksual, duke përfshirë ngacmimin seksual të vajzës së tij.

Rasti dyshohet të ketë ndodhur më 2 nëntor 2026, në Pejë, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe është ndaluar për 48 orë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë Shkodran Nikçi, i cili ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarit është paraqitur kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.

“Ajo çka mund të konfirmoj është se një person është ndaluar për 48 orë nën dyshimin se ka kryer dy vepra penale kundër integritetit seksual. Për të njëjtin, prokurori i Shtetit ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për veprat penale të cilat i vihen në barrë. Viktima ka marrë trajtimin e duhur nën përkujdesjen e institucioneve shtetërore”, ka deklaruar Nikçi.

Ndërkaq, sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, pas arrestimit të të dyshuarit janë intervistuar viktima dhe një dëshmitare.

Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e të dyshuarit janë sekuestruar një laptop dhe dy telefona celularë, në cilësinë e provave materiale.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

“Pejë / NN. Më 02.11.2026. Është arrestuar i dyshuari kosovar, për shkak se dyshohet që e kishte ngacmuar seksualisht viktimën femër kosovare. Lidhur me rastin është intervistuar viktima femër kosovare dhe dëshmitarja femër kosovare. Pas kontrollit të banesës së të dyshuarit mashkull kosovar në cilësi të provave materiale janë sekuestruar një laptop dhe dy telefona celularë, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë. /telegrafi