Kur poezia shqipe flet gjermanisht, sonte mbrëmje letrare në Prishtinë

Poezia shqipe dhe rrugëtimi i saj drejt lexuesit gjermanofolës do të jenë në qendër të një mbrëmjeje të veçantë letrare, që do të mbahet sonte në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë.

Në këtë aktivitet, të titulluar “Poezia dhe përkthimi | Letërsia shqipe në gjermanisht”, do të zhvillohen lexime poetike dhe biseda mbi krijimtarinë shqipe, sfidat e përkthimit dhe mundësitë që përkthimi u ofron veprave letrare për të kapërcyer kufijtë gjuhësorë e kulturorë.

Të ftuar në këtë mbrëmje janë autorët Dr. Blerina Rogova-Gaxha dhe Arben Idrizi, si dhe përkthyesja e njohur dr. Zuzana Finger. Bisedën do ta moderojë dr. Blerta Ismajli. Përveç leximeve dhe diskutimeve, programi do të shoqërohet edhe me muzikë.

Mbrëmja organizohet nga Ambasada Gjermane në Kosovë dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës, me mbështetjen e TRADUKI-t, duke synuar të krijojë një hapësirë dialogu mes letërsisë shqipe dhe asaj gjermanofolëse. Aktiviteti fillon nga ora 18:00, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.