Legjenda e Juventusit për Zhegrovën: Lojtar i tipit brazilian, do ta kisha pasur të vështirë ta ndalja

Edon Zhegrova ka marrë komplimente nga një prej emrave më të njohur të historisë së Juventusit.

Paolo Montero, ish-mbrojtësi uruguaian që ishte simbol i ashpërsisë dhe luftës në repartin defensiv, ka folur për cilësitë e reprezentuesit të Kosovës dhe përshtatjen e tij në Torino.

Montero nuk ka hezituar ta krahasojë stilin e Zhegrovës me futbollistët brazilianë, duke vënë në pah teknikën dhe aftësinë e tij për të dribluar kundërshtarët.

“Më pëlqen. Është një lojtar i tipit brazilian. Tani duhet të rrisë minutazhin sa herë që aktivizohet. E kam parë në Francë, por duhet të kemi durim”, deklaroi ai.

Ish-futbollisti i Juventusit kërkoi që Zhegrovës t'i jepet koha e nevojshme për t'u përshtatur, duke përdorur edhe shembullin e Zinedine Zidanes, i cili në fillimet e tij në Torino nuk ishte menjëherë i paprekshëm.

“Kur Zidane erdhi te Juventusi, në janar klubi dëshironte ta largonte. Shikoni se çfarë u bë më pas. Përshtatja nuk është e lehtë, sepse fanella e Juventusit peshon shumë. Të gjithë duan gjithçka menjëherë, ndërsa Juventusi duhet të fitojë çdo ditë”, theksoi Montero.

Ai u pyet edhe për një skenar hipotetik, nëse do të duhej ta markonte personalisht Zhegrovën gjatë kohës kur ishte futbollist.

“Do të ishte e vështirë, sepse kur ai niset drejt teje, bëhet shumë e komplikuar. Duhet ta shikosh topin dhe jo lojtarin. Në këtë mënyrë, ndonjëherë mund ta fitosh topin. Përndryshe, ai të kalon”, u përgjigj uruguaiani. /Zëri