Bojan Krkic e rrëfen betejën me ankthin: Futbolli më mori shumë më tepër sesa imagjinoja

Bojan Krkic ishte një prej talenteve më të mëdha që ka prodhuar akademia e Barcelonës, por pas shpërthimit të tij në futbollin profesionist fshihej një periudhë shumë e vështirë personale.

I krahasuar vazhdimisht me Lionel Messin, ish-sulmuesi katalanas u përball me presion të jashtëzakonshëm që në moshë të re.

Ai debutoi me ekipin e parë të Barcelonës vetëm 17-vjeçar, por pritshmëritë e mëdha dhe vëmendja mediatike ndikuan rëndë në gjendjen e tij emocionale.

Bojani ka treguar në disa rrëfime publike se vuante nga sulmet e ankthit, të cilat i shkaktonin marramendje dhe shqetësime të vazhdueshme.

Madje, për shkak të kësaj gjendjeje, ai hoqi dorë edhe nga pjesëmarrja në Kampionatin Evropian të vitit 2008 me Spanjën.

“Ankthi është një ndjesi shumë e pakëndshme. Isha i trullosur 24 orë në ditë”, kishte rrëfyer ai.

Sot, ish-futbollisti e ka lënë pas karrierën si lojtar dhe është pjesë e strukturave sportive të Barcelonës, ku merret me përcjelljen e futbollistëve të huazuar dhe talenteve të rinj. /Zëri