Avioni që transportonte Vulinin dhe u kthye në Beograd mbërrin në Moskë

Avioni i kompanisë Air Serbia, i cili të martën në mbrëmje u kthye në Beograd gjatë fluturimit për në Moskë për kontrolle shtesë të sigurisë, mbërriti në kryeqytetin rus të mërkurën në mëngjes.

Në mesin e udhëtarëve të fluturimit fillestar ishte edhe politikani prorus dhe ish-zyrtari i lartë serb, Aleksandar Vulin. Megjithatë, nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse ai e vazhdoi udhëtimin drejt Moskës.

Kryeredaktori i portalit të aviacionit Tango Six, Petar Vojinoviq, shkroi në rrjetin X se avioni i fluturimit JU134 mbërriti në Moskë pas shtatë orësh vonesë, me ekuipazh të ndërruar për shkak të rregullave për orarin e punës, por me “të njëjtët udhëtarë, që rezultuan të ishin më shumë se interesantë”, raportoi Radiotelevizioni i Serbisë (RTS).

Avioni i Air Serbia u kthye në Beograd të martën në mbrëmje, pasi kompania kishte marrë nga shërbimet kompetente të aeroportit një informacion që kërkonte kryerjen e kontrolleve shtesë të sigurisë lidhur me një udhëtar, sipas njoftimit.

Aleksandar Vulini, politikan që ndodhet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara, për shkak të lidhjeve me Kremlinin, i hodhi poshtë lajmet se nuk e kishte kaluar kontrollin e nevojshëm të sigurisë në Aeroportin “Nikolla Tesla”.

Pas kthimit të avionit në Beograd, Vulini i tha tabloidit Informer se bëhej fjalë për një “përpjekje për t’u hakmarrë politikisht” ndaj tij. Ai tha se po udhëtonte zyrtarisht drejt Moskës për të biseduar për marrëveshjen e furnizimit me gaz rus për Serbinë.

“Natyrisht, gjithçka është gënjeshtër. Kjo është vetëm një formë abuzimi dhe një përpjekje për t’ua dëshmuar pushtetarëve të rinj se sa shumë janë në mbrojtje të ideologjisë së tyre, madje edhe këtu, në aeroportin tonë”, tha Vulini.

Drejtori i kompanisë Srbijagas, Dushan Bajatoviq, i cili ndodhej në të njëjtin avion, i tha televizionit N1 se pas kthimit të paplanifikuar të avionit nga rruga drejt Moskës në aeroportin e Beogradit, ishte kryer një kontroll i hollësishëm i sigurisë ndaj të gjithë udhëtarëve dhe bagazheve të tyre.

Edhe pse në avion ndodheshin Vulini dhe Nenad Popoviq, ministër pa portofol në qeverinë teknike të Serbisë, i njohur për qëndrimet proruse, Bajatoviq tha se nuk i dinte arsyet e udhëtimit të tyre.

Ai shtoi se udhëtimi i tij drejt Rusisë lidhej me problemet në furnizimin me gaz dhe në qarkullimin e pagesave, pas rastit të bankës Alta. Kjo bankë iu nënshtrua falimentimit më 3 nëntor, një ditë pasi pronari i saj, Davor Macura, u arrestua nën dyshimin se kishte nxjerrë nga kasaforta e bankës qindra miliona euro në para të gatshme. /REL