Një pikturë e Kandinskit, e shitur për 22 mijë funte në vitin 1964, pritet të arrijë deri në 80 milionë dollarë

Një pikturë e artistit të njohur rus Wassily Kandinsky, e cila u shit për vetëm 22 mijë funte në vitin 1964, pritet të rikthehet në ankand me një vlerësim që arrin deri në 80 milionë dollarë.

Bëhet fjalë për veprën “Betonte Ecken”, e cila pritet të vendosë rekord të ri për çmimin më të lartë të paguar ndonjëherë në ankand për një pikturë të Kandinskit.

Historia e saj lidhet me koleksionin e Solomon R. Guggenheim, biznesmenit amerikan dhe një prej koleksionistëve e mbështetësve më të mëdhenj të artistit rus. Rreth 15 vjet pas vdekjes së Guggenheimit, fondacioni që administronte koleksionin e tij vendosi të nxirrte në shitje 50 nga 170 veprat e Kandinskit që zotëronte, me arsyetimin se muzeu në Manhatan nuk kishte hapësirë të mjaftueshme për t’i ekspozuar të gjitha.

Në vitin 1964, nipi i Guggenheimit, Harry F. Guggenheim, shpjegoi se fondacioni nuk dëshironte që pikturat të mbeteshin të mbyllura në depot e muzeut, larg publikut. Në ankandin e organizuar në Londër po atë vit, 50 veprat u shitën për gjithsej 536.580 paund, atëherë rreth 1.5 milion dollarë.

Mes tyre ishte edhe “Betonte Ecken”, e cila u ble nga një tregtar arti në New York për 22 mijë paund, të barasvlershme me rreth 62 mijë dollarë në atë kohë.

Më shumë se gjashtë dekada më vonë, e njëjta pikturë vlerësohet të arrijë nga 60 deri në 80 milionë dollarë në ankandin e organizuar nga shtëpia e ankandeve Christie’s.

Sipas Max Carter, kryetar global për artin e shekujve XX dhe XXI në Christie’s, fondacioni Guggenheim kishte në atë kohë një koleksion aq të pasur, saqë shiti kryevepra që sot do të ishte pothuajse e paimagjinueshme të nxirreshin nga një koleksion i tillë.

Vlera e pritshme e “Betonte Ecken” do të tejkalojë rekordin aktual të Kandinskit në ankande, të vendosur në vitin 2023, kur piktura e tij “Murnau mit Kirche II” u shit për 37.2 milionë paund, apo 44.55 milionë dollarë.

Sipas Christie’s, për veprën e re është konfirmuar tashmë një ofertë garantuese mbi rekordin aktual, çka e bën të sigurt vendosjen e një rekordi të ri.

Rritja e jashtëzakonshme e vlerës së veprave të Kandinskit dëshmon statusin e tij në tregun ndërkombëtar të artit. Në kohën e shitjes së vitit 1964, “Betonte Ecken” konsiderohej ende një vepër që i paraprinte zhvillimeve artistike të kohës, ndërsa sot vlerësohet si një prej shembujve përfaqësues të gjuhës abstrakte të artistit.

Max Carter e cilësoi pikturën si një vepër tipike të Kandinskit, duke theksuar se ajo përmbledh në mënyrë të veçantë elementet që e bëjnë artin e tij të dallueshëm. /kultplus