Mblidhen disa komisione parlamentare

Në Kuvendin e Republikës së Kosovës, gjatë ditës së sotme, janë paraparë të mbahen disa takime të komisioneve parlamentare, ku në fokus do të jenë çështjet e të drejtave të njeriut, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe shqyrtimi i raporteve financiare.

Sipas agjendës së publikuar, në orën 10:00, Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione do të takohet me eksperten nga Instituti Nacional Demokratik (NDI), ku do të diskutohet për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje.

Po në të njëjtën orë, Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë do të zhvillojë një takim me ambasadoren e Republikës së Finlandës në Kosovë, Eevamari Laaksonen, me qëllim të diskutimit të çështjeve me interes të përbashkët.

Ndërkaq, në orën 11:00, Komisioni për Buxhet do të shqyrtojë raportin vjetor financiar të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2025.

Takimet diplomatike do të vazhdojnë edhe pasdite. Në orën 14:30, Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë do të takohet me ambasadorin e Republikës së Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini.