Rasti i Diana Kastratit, aktakuza përshkruan momentin e privimit të saj nga jeta nga ish-partneri
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj Andon Jasharit, të dyshuar për vrasjen e Diana Kastratit në maj të vitit 2011.
Sipas aktakuzës që mban datën 30 nëntor 2023, dhe e cila është siguruar e Klan Kosova, Jashari ngarkohet me dy vepra penale: “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Në këtë dokument, Prokuroria përshkruan në detaje rrethanat e vrasjes, dhunën që, sipas saj, i kishte paraprirë ngjarjes, si dhe veprimet e të pandehurit në momentin e shkrepjes së armës.
Si përshkruhet vrasja në aktakuzë?
Sipas Prokurorisë, ngjarja kishte ndodhur më 18 maj 2011, rreth orës 10:30, në udhëkryqin e rrugëve “Haxhi Zeka” dhe “Xheladin Kurbaliu” në Prishtinë, në afërsi të shtëpisë ku Diana Kastrati po qëndronte te prindërit e saj.
Ajo ishte larguar nga shtëpia ku jetonte me ish-partneri i saj, Andon Jashari, me të cilin kishte një fëmijë të përbashkët, pas përkeqësimit të raporteve mes tyre.
Në aktakuzë thuhet se gjatë dy viteve të fundit, Jashari vazhdimisht e kishte maltretuar fizikisht dhe psikikisht Dianën. Për këtë arsye, ajo dhe babai i saj, Gëzim Kastrati, kishin kërkuar nga gjykata edhe urdhër mbrojtës.
Prokuroria pretendon se i pandehuri kishte bërë disa përpjekje, përfshirë edhe një ditë para vrasjes, për ta bindur Dianën që të kthehej dhe të jetonte me të, pavarësisht vullnetit të saj.
Por, pasi ajo nuk kishte pranuar, sipas aktakuzës, ditën kritike Jashari e kishte përcjellë dhe më pas ia kishte zënë rrugën në befasi.
Ai, thuhet në dokument, ishte përpjekur ta merrte me vete duke përdorur dhunë, por Diana kishte refuzuar.
Në momentin kur ajo kishte tentuar të largohej, Prokuroria pretendon se Jashari kishte nxjerrë revolen nga brezi, e kishte kapur Dianën për koke me njërën dorë dhe kishte shtënë dy herë në drejtim të saj, duke e qëlluar në qafë nga afërsia.
Pas të shtënave, sipas përshkrimit në aktakuzë, ai e kishte futur armën përsëri në brez dhe ishte larguar me hapa normalë në drejtim të rrugës së Tregut.
Diana Kastrati vdiq në vendin e ngjarjes
Sipas aktakuzës, Diana Kastrati kishte vdekur në vendin e ngjarjes, si pasojë e plagës së shkaktuar nga arma e zjarrit.
Në dokument përshkruhen edhe gjetjet nga autopsia, sipas së cilave predha kishte shkaktuar dëmtimin e enëve të gjakut në degëzimet e arteries karotide të djathtë, frakturë të bazës së kafkës dhe dëmtime në bazën e trurit, të cilat kishin rezultuar me gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme.
Gjatë ekzaminimit të trupit, sipas Prokurorisë, ishin konstatuar edhe hematoma, të shkaktuara nga goditja me një mjet të fortë.
Në vendin e ngjarjes, policia kishte gjetur dhe sekuestruar gëzhoja të fishekëve me mbishkrimin 7.65 mm G.F.L., si dhe një predhë fisheku në pellgun e gjakut nën kokën e viktimës.
Një pjesë e këtyre dëshmive materiale përbënin bazën e provave të përfshira në aktakuzë.
Akuza e dytë: Mbajtja e paautorizuar e armë
Përveç vrasjes së rëndë, Andon Jashari akuzohet edhe për mbajtje, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Sipas aktakuzës, nga një periudhë e papërcaktuar deri më 18 maj 2011, në shtëpinë e tij në rrugën “Antigona Fazliu” në Prishtinë, ai kishte mbajtur pa autorizim një armë të tipit të panjohur, të kalibrit 7.65 mm, të cilën, sipas Prokurorisë, e kishte përdorur në vrasjen e Dianës.
Gjatë kontrollit të shtëpisë, policia kishte gjetur dhe sekuestruar edhe dy gëzhoja fishekësh të kalibrit 7.65 mm, në dyshemenë e një dhome në katin e dytë, afër anës së djathtë të dritares.
Po ashtu, ishin sekuestruar një brushë dhe një leckë për pastrimin e armës, një futrollë plastike e dorezës së armës, e identifikuar në dokument si “Combat”, si dhe një këllëf brezi për pistoletë.