Japonia kremton Ditën e Kulturës, një traditë që nderon artin dhe shkencën

Më 3 nëntor, Japonia shënon Ditën e Kulturës (Bunka no Hi), një festë kombëtare që i kushtohet promovimit të kulturës, arteve dhe zhvillimit akademik. Kjo ditë shoqërohet me ekspozita artistike, festivale kulturore, parada dhe ceremoni që nderojnë personalitete me kontribut të veçantë në shkencë, art dhe kulturë.

Dita e Kulturës u shënua për herë të parë në vitin 1948, në përkujtim të shpalljes së Kushtetutës së Japonisë së pasluftës, më 3 nëntor 1946. Megjithatë, kjo datë ka një histori edhe më të hershme. Në vitin 1868, ajo u vendos si festë kombëtare me emrin Tenchë-setsu, në nder të ditëlindjes së perandorit Meiji. Pas vdekjes së tij, në vitin 1912, tradita u ndërpre për një periudhë, për t’u rikthyer në vitin 1927 me emrin Meiji-setsu. Ky emërtim u zëvendësua më pas, në vitin 1948, me Ditën e Kulturës.

Në këtë datë, institucione të ndryshme në nivel lokal dhe prefektural organizojnë aktivitete që i japin hapësirë krijimtarisë dhe trashëgimisë kulturore. Muzetë dhe galeritë hapin dyert për ekspozita e veprimtari të posaçme, ndërsa disa prej tyre ofrojnë hyrje falas për vizitorët. Në qytetin Hakone, për shembull, zhvillohet Parada e Lordëve Feudalë, ku rikrijohen veshjet dhe kostumet karakteristike të periudhës Edo.

Një nga momentet më të rëndësishme të kësaj feste është ceremonia e ndarjes së Urdhrit të Kulturës, e cila mbahet në Pallatin Perandorak të Tokios. E organizuar në këtë datë që nga viti 1936, ceremonia nderon individë që kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në përparimin e shkencës, arteve dhe kulturës. Vlerësimi jepet nga vetë perandori dhe konsiderohet ndër nderimet më të larta në Japoni. Ai nuk kufizohet vetëm te shtetasit japonezë: ndër personalitetet e huaja që e kanë marrë këtë dekoratë janë edhe astronautët e misionit Apollo 11 dhe studiuesi i letërsisë Donald Keene.

Programi i ditës përfshin gjithashtu festivalin e arteve të organizuar nga Agjencia për Çështjet Kulturore, ndërsa Forcat Detare të Vetëmbrojtjes së Japonisë zbukurojnë anijet e vendosura në baza dhe porte të ndryshme. Në këtë datë zhvillohet edhe Kampionati Japonez i Kendos, i transmetuar drejtpërdrejt në televizionin NHK.

Përtej aktiviteteve artistike dhe ceremonive zyrtare, 3 nëntori njihet në Japoni edhe si një nga ditët me probabilitet të lartë për mot të kthjellët. Sipas të dhënave statistikore të përmendura për periudhën 1965–1996, në Tokio ka rënë shi vetëm në tre raste gjatë kësaj date.

Përmes kësaj feste, Japonia i kushton një ditë të veçantë kulturës si pjesë të identitetit dhe jetës shoqërore, duke vënë në qendër krijimtarinë, dijen dhe njerëzit që kontribuojnë në zhvillimin e tyre. /kultplus