Ministri Blendi Gonxhja njofton për përfundimin e punimeve restauruese në Kalanë e Borshit
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka njoftuar për përfundimin e punimeve restauruese në Kalanë e Borshit, duke bërë të ditur se ndërhyrjet janë përqendruar në ruajtjen e strukturave fortifikuese dhe vlerave historike e arkitektonike të monumentit.
Përmes një publikimi në rrjetet sociale, Gonxhja ka theksuar se punimet kanë përfshirë edhe Xhaminë e Haxhi Bendos, ndërsa ndërhyrjet kanë pasur si qëllim ruajtjen e autenticitetit të kompleksit historik.
“Kanë përfunduar punimet restauruese në Kalanë e Borshit, të përqendruara në konsolidimin e strukturave fortifikuese, ruajtjen e autenticitetit dhe evidentimin e vlerave historike e arkitektonike, përfshirë Xhaminë e Haxhi Bendos.
Ndërhyrjet kanë kontribuar gjithashtu në rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e vizitueshmërisë së këtij monumenti, që ngrihet mbi bregdetin e Jonit dhe mbart gjurmë historike nga antikiteti deri në mesjetë. Ruajmë trashëgiminë, promovojmë historinë!”, ka shkruar ministri Gonxhja.
Kalaja e Borshit, e vendosur mbi bregdetin e Jonit, përfaqëson një monument me rëndësi për trashëgiminë kulturore shqiptare, ndërsa përfundimi i punimeve restauruese synon ruajtjen e vlerave të saj dhe përmirësimin e kushteve për vizitorët. /kultplus