Pas 38 vjetësh rikthehet në “Akordet e Kosovës”, Deniza Begolli rrëfen kujtimet dhe dashurinë për muzikën
Pas një mungese prej 38 vjetësh, këngëtarja Deniza Begolli është rikthyer në skenën e festivalit “Akordet e Kosovës”, këtë herë si e ftuar speciale në edicionin e mbajtur në fund të muajit tetor 2026.
Artistja, e cila ishte paraqitur për herë të fundit si garuese në këtë festival në vitet 1988/1989, u ngjit sërish në skenën ku dikur kishte prezantuar këngën e saj të njohur “Dëshira”.
Këtë herë ajo e solli atë para publikut në një interpretim special, duke rikthyer një pjesë të kujtimeve të saj muzikore.
Në një intervistë Begolli ka folur për emocionet e rikthimit, ndryshimet e mëdha që ka pësuar muzika ndër vite dhe sfidat me të cilat përballeshin artistët gjatë viteve '80.
Duke krahasuar kohën kur ajo nisi të merrej me muzikë me mundësitë që ofron teknologjia sot, artistja tregoi se sfida më e madhe atëherë ishte sigurimi i një termini për të hyrë në studio dhe për të incizuar këngët.
“Ndryshimi është shumë i madh, përparimi i teknikës ndryshe është nga ajo që ka qenë atëherë. Mirëpo, unë mund të them se në ato kohëra, kur ne kemi bërë muzikë në vitet e '80-ta, ka pasur një entuziazëm jashtëzakonisht të madh dhe kemi pasur shumë dashuri për muzikën. Kemi punuar pa kurrfarë interesi material, vetëm me kriju, me kriju, me kriju”, u shpreh ajo.
Sipas saj, përkushtimi ndaj muzikës ishte mbi gjithçka, ndërsa artistët e asaj kohe nuk përballeshin me shumë nga vështirësitë që mund të mendohen sot.
“Sfida më e madhe për neve atëherë ka qenë ta fitojmë terminin, qysh me hy në studio dhe me incizu. Kurrfarë problemi tjetër nuk kemi pasur”, kujtoi Begolli.
U shpreh gjithashtu e kënaqur edhe me nivelin e edicionit të sivjetmë të festivalit, duke vlerësuar talentin e këngëtarëve dhe përkushtimin në organizim.
Ajo falënderoi veçanërisht drejtorin artistik Florent Boshnjaku për ftesën, duke bërë të ditur se ai, së bashku me Ilir Bajrin, ka punuar edhe në aranzhimin e këngës “Dëshira”.
Megjithëse nuk planifikon të jetë aq aktive në skenë sa dikur, Begolli zbuloi se ka një dëshirë që lidhet me krijimtarinë e saj të mëparshme, t'i mbledhë këngët që ka incizuar ndër vite në një album të vetëm.
Aktualisht, jeton dhe punon në Kroaci, ku vazhdon të jetë e angazhuar në muzikë. Me profesion është profesoreshë e muzikës dhe punon në një shkollë, ndërsa udhëheq edhe një grup vokal të grave.
E njëjta është e përfshirë në jetën muzikore në Istria dhe në Kroaci, ku ka realizuar projekte të ndryshme me fëmijë, edhe incizimin e albumeve me këngë të shkruara nga vetë ata.
Këngëtarja tha se, ndonëse sot nuk punon për veten si dikur, është munduar që dijeninë dhe entuziazmin e saj për muzikën t'ua përcjellë gjeneratave të reja.
Pikërisht për këtë arsye, e vlerësoi edhe përfshirjen e mbrëmjes për fëmijë në edicionin e sivjetmë të “Akordeve të Kosovës”, duke shpresuar se kjo do të ndihmojë në zbulimin e talenteve të reja dhe nxitjen e tyre për t'u marrë me muzikë.
Në fund, ndau edhe një mesazh të thjeshtë, por domethënës për publikun: “Dëgjoni muzikë. Muzika është ilaç për shpirt dhe nxit shumë ndjenja pozitive”. /telegrafi