Mali i Zi mund ta nënshkruajë marrëveshjen e anëtarësimit në BE në qershor 2027

Mali i Zi mund t’i përfundojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në fund të dhjetorit 2026, ndërsa marrëveshja e anëtarësimit mund të nënshkruhet në qershor të vitit 2027.

Këto afate parashihen në një plan paraprak të Komisionit Evropian.

Plani është pjesë e një udhërrëfyesi që Komisioni Evropian pritet ta publikojë më 4 nëntor për katër vendet që kanë përparuar më së shumti drejt anëtarësimit në BE: Malin e Zi, Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë.

Sipas dokumentit që siguroi Radio Evropa e Lirë, Mali i Zi pritet t’i mbyllë kapitujt e mbetur të negociatave gjatë dy konferencave ndërqeveritare, në nëntor dhe dhjetor të këtij viti.

Më pas, në pranverën e vitit 2027, pritet të përfundojë hartimi i marrëveshjes së anëtarësimit, e cila mund të nënshkruhet deri në verë, mundësisht në qershor.

Deri tani Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht 21 nga gjithsej 33 kapitujt e negociatave.

Të paktën edhe një kapitull pritet të mbyllet deri në fund të kësaj jave.

Komisioni Evropian, megjithatë, thekson se këto afate nuk janë përfundimtare.

Sipas tij, përparimi i negociatave do të varet nga sa shpejt Mali i Zi i përmbush kushtet për anëtarësim.

Komisioni sqaron, gjithashtu, se plani nuk garanton përfundimin e negociatave apo nënshkrimin e marrëveshjes brenda afateve të parashikuara.

Vendimet përkatëse do të varen edhe nga institucionet e BE-së, përfshirë Këshillin e BE-së, Komisionin Evropian dhe Parlamentin Evropian.

Dy konferenca ndërqeveritare deri në fund të vitit

Mali i Zi synon t’i mbyllë të gjithë kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian deri në fund të këtij viti. Për këtë qëllim, janë planifikuar dy konferenca ndërqeveritare, në nëntor dhe dhjetor.

Sipas udhërrëfyesit të Komisionit Evropian, në konferencën e nëntorit pritet të mbyllen përkohësisht pesë kapituj:

Energjia

Politika e transportit

Siguria ushqimore, politikat veterinare dhe fitosanitare

Tatimet

Lëvizja e lirë e mallrave

Komisioni planifikon që konferencat e fundit ndërqeveritare të mbahen në dhjetor, kur pritet të mbyllen kapitujt e mbetur:

Shërbimet financiare

Politika rajonale dhe koordinimi i fondeve strukturore

Mjedisi dhe ndryshimet klimatike

Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes

Dispozitat financiare dhe buxhetore

Gjyqësori dhe të drejtat themelore (kapitulli 23)

Drejtësia, liria dhe siguria (kapitulli 24)

Institucionet dhe çështjet e tjera (kapitujt 34 dhe 35).

Kapitujt 23 dhe 24, që lidhen me sundimin e ligjit, Mali i Zi i ka hapur që në vitin 2013.

Këta janë ndër kapitujt më të rëndësishëm të procesit të anëtarësimit, pasi përparimi në ta ndikon në ritmin e përgjithshëm të negociatave.

Sipas rregullave të BE-së, ata hapen ndër të parët dhe mbyllen të fundit.

Prandaj, edhe në planin e Komisionit Evropian, mbyllja e tyre është paraparë në fazën përfundimtare të negociatave.

Në paketën e zgjerimit, që Komisioni Evropian do ta publikojë të mërkurën, vlerësohet se Mali i Zi ka vazhduar të shënojë përparim në reformat që lidhen me të drejtat themelore, duke përmbushur kriteret përfundimtare për mbylljen e kapitujve 23 dhe 24.

Megjithatë, mbyllja e kapitujve është e përkohshme.

Sipas rregullave të negociatave, marrëveshja për secilin kapitull nuk konsiderohet përfundimtare derisa të arrihet një marrëveshje e përgjithshme për të gjithë kapitujt.

Drafti i marrëveshjes së anëtarësimit në pranverën e vitit 2027

Komisioni Evropian parashikon që hartimi i marrëveshjes për anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian të përfundojë në pranverën e vitit 2027.

Për ta arritur këtë, Komisioni duhet ta paraqesë pjesën e mbetur të draftit në fillim të vitit të ardhshëm.

Për hartimin e marrëveshjes është duke punuar një grup i posaçëm pune, i themeluar në prill, i cili mblidhet pothuajse rregullisht në Bruksel.

Më pas, teksti i marrëveshjes duhet të harmonizohet dhe të miratohet nga të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe Mali i Zi.

Ai duhet, gjithashtu, të përkthehet në të gjitha gjuhët zyrtare të BE-së dhe në gjuhën malazeze.

Nënshkrimi i marrëveshjes në qershor 2027

Sipas planit paraprak, marrëveshja e anëtarësimit mund të nënshkruhet në qershor të vitit 2027.

Por, përpara nënshkrimit duhet të përmbushen disa kushte:

Legjislacioni themelor i BE-së duhet të përkthehet në gjuhën malazeze dhe përkthimi të rishikohet nga Këshilli i BE-së.

Komisioni Evropian duhet të japë mendim pozitiv për anëtarësimin e Malit të Zi.

Parlamenti Evropian duhet të japë pëlqimin për anëtarësimin.

Këshilli i BE-së duhet të miratojë vendimin për pranimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian.

Mbikëqyrje deri në anëtarësim dhe mundësi për shtyrjen e tij

Marrëveshja e anëtarësimit të Malit të Zi pritet të jetë e para e një gjenerate të re marrëveshjesh, që do të përmbajnë mekanizma më të rreptë mbrojtës, në përputhje me politikën e re të paraanëtarësimit, të publikuar nga Komisioni Evropian më 30 shtator.

Marrëveshja parasheh që BE-ja të vazhdojë ta monitorojë Malin e Zi deri në ditën kur ai të bëhet anëtar i saj.

Për këtë qëllim, dy herë në vit do të përgatiten raporte në formë tabelash për të vlerësuar përparimin e vendit.

Nëse gjatë kësaj periudhe Mali i Zi shënon hapa prapa në përmbushjen e kushteve dhe masat për korrigjimin e problemeve nuk japin rezultat, BE-ja mund ta shtyjë anëtarësimin e tij, si masë të fundit.

Pas nënshkrimit, marrëveshja duhet të ratifikohet nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe nga Mali i Zi.

Kroacia, vendi i fundit që iu bashkua Bashkimit Evropian, e nënshkroi marrëveshjen e anëtarësimit në dhjetor të vitit 2011, ndërsa u bë anëtare më 1 korrik 2013.

Qeveria e Malit të Zi ka vendosur si objektiv që vendi të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028.