Raportohen në Polici kërcënimet ndaj ish-gazetares Anita Nikaj

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës (RRGGK) kanë raportuar në Policinë e Kosovës kërcënimet e vazhdueshme ndaj ish-gazetares dhe aktivistes feministe, Anita Nikaj.

Sipas njoftimit të dy organizatave, Nikaj është paraqitur sot në Polici së bashku me drejtoreshën ekzekutive të AGK-së dhe përfaqësuesen e RRGGK-së, Getoarbë Mulliqi, si dhe juristin e AGK-së, Yll Zekaj, për të paraqitur kallëzim penal lidhur me kanosjet dhe kërcënimet, transmeton Zeri.nfo.

AGK-ja dhe RRGGK-ja kanë kërkuar nga institucionet përgjegjëse që rastin ta trajtojnë me seriozitet dhe urgjencë, si dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë të personave që qëndrojnë pas këtyre kërcënimeve.

Dy organizatat kanë theksuar se linçimi publik, fushatat denigruese dhe kërcënimet nuk duhet të normalizohen.

“Do të vazhdojmë t’u qëndrojmë pranë anëtarëve tanë dhe të reagojmë ndaj çdo forme të presionit, frikësimit, kërcënimit ose cenimit të sigurisë së gazetarëve dhe grave në hapësirën publike”, thuhet në reagimin e AGK-së dhe RRGGK-së. /Zëri