Policia do t’i kthejë patentë shoferët e konfiskuar, por ndalesat e vozitjes mbeten në fuqi
Policia e Kosovës ka njoftuar se do të nisë kthimin e patentë shoferëve, të cilët janë marrë përkohësisht nga Policia dhe për të cilët ka kaluar afati ligjor i mbajtjes prej tetë ditësh.
Ky veprim vjen pas Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, me të cilin është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar paragrafi 3 i Nenit 17 të Udhëzimit Administrativ për Procedurat e Kundërvajtjes, transmeton Zeri.info.
Policia sqaron se vendimi i Gjykatës Supreme nuk e ndryshon mundësinë e shqiptimit të masës mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të automjetit dhe as nuk i shfuqizon masat e shqiptuara më herët.
Ndryshimi ka të bëjë vetëm me mbajtjen fizike të patentë-shoferëve, e cila, sipas Nenit 244 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor dhe vendimit të Gjykatës Supreme, nuk mund të zgjasë më shumë se tetë ditë.
Policia thekson se kthimi i patentë shoferit nuk nënkupton se personi ka të drejtë të drejtojë automjetin nëse ndaj tij vazhdon të jetë në fuqi masa mbrojtëse e ndalimit të vozitjes.
Madje, drejtimi i automjetit gjatë kohëzgjatjes së kësaj mase përbën kundërvajtje, për të cilën ligji parasheh gjobë prej 500 eurosh, ndalim të drejtimit të automjetit për gjashtë muaj, pesë pikë negative dhe konfiskim të përkohshëm të automjetit.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet në trafik dhe verifikimin e masave mbrojtëse, pikëve negative dhe kufizimeve të tjera ligjore. /Zëri