Laporta i bashkon forcat me kryetarin e qytetit të Barcelonës, për ta sjellur finalen e Botërorit 2030 në “Camp Nou”

Barcelona ka plane ambicioze për stadiumin e rinovuar plotësisht “Spotify Camp Nou”, ku një prej prioriteteve kryesore është organizimi i finales së Kupës së Botës 2030.

Klubi katalunas tashmë ka lobuar dhe ka siguruar lejen për organizimin e finales së Ligës së Kampionëve në vitin 2029.

Ambicia për ta organizuar edhe finalen e Kupës së Botës ka marrë tashmë mbështetje të re nga drejtuesit politikë të qytetit dhe Federata e Futbollit të Spanjës.

Sipas “SPORT”, presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, kryetari i qytetit, Jaume Collboni, dhe presidenti i Federatës së Futbollit të Spanjës, Rafael Louzan, janë bashkuar në ndjekje të kësaj ëndrre të përbashkët.

Laporta, i cili asnjëherë nuk ngurron t’i shprehë hapur dëshirat e tij, ka deklaruar vazhdimisht se dëshiron që stadiumi i Barcelonës ta presë finalen e Botërorit 2030.

Pavarësisht konkurrencës së fortë nga “Santiago Bernabeu”, presidenti i Barcelonës ka shfaqur vazhdimisht optimizëm për këtë mundësi.

“Jemi optimistë dhe shpresojmë që kjo të ndodhë”, deklaroi presidenti i Barcelonës gjatë një eventi në bashkinë e qytetit, ku ishte prezantuar trofeu i Kupës së Botës.

Ambicia e tij ndahet edhe nga kryetari i qytetit, Collboni, i cili është shndërruar në një tjetër përkrahës të madh të kandidaturës së stadiumit katalunas.

“Do të dëshironim që më 21 korrik 2030, në ditën e finales së Kupës së Botës, të ishim në ‘Camp Nou’. Dhe që kapiteni i Spanjës ta ngrinte sërish trofeun këtu”, shpjegoi kryetari i qytetit.

“Është stadiumi më i mirë dhe do të jetë impianti më i mirë në Evropë. Duam që ai ta presë finalen e Kupës së Botës dhe po punojmë për ta realizuar këtë ëndërr.”

Edhe Federata e Futbollit të Spanjës i ka mirëpritur ambiciet e Barcelonës, por Louzan nuk shkoi deri aty sa t’i jepte mbështetje të plotë stadiumit “Camp Nou”.

Kjo është e kuptueshme duke marrë parasysh pozitën e tij si president i federatës, por edhe faktin se “Santiago Bernabeu” është gjithashtu një opsion real për organizimin e finales.

“Shpresojmë që kjo të ndodhë. Ka mundësi”, pranoi ai, duke theksuar se Spanja duhet ta organizojë finalen.

Ai këmbënguli që finalja të zhvillohet në Spanjë, pasi Maroku është shndërruar në një konkurrent serioz. Shteti afrikan planifikon ta propozojë stadiumin “Grand Stade Hassan II” si opsionin e tij të preferuar për organizimin e finales.

Kupa e Botës 2030 pritet të organizohet nga Portugalia, Spanja dhe Maroku. Megjithatë, nga pala portugeze nuk duket të ketë ndonjë pretendim të madh për organizimin e finales.

Interesant është fakti se Maroku u bë bashkëorganizator i këtij turneu vetëm pasi Ukraina nuk mundi të vazhdonte me kandidaturën për shkak të rrethanave aktuale gjeopolitike.

Spanja ishte njëra prej organizatoreve fillestare, së bashku me Marokun, dhe tashmë po kërkon me të drejtë që finalja të zhvillohet në territorin e saj.

Camp Nou do të jetë stadiumi më i madh dhe më prestigjioz në vend pas përfundimit të rinovimeve, ndërsa mbetet të shihet nëse Laporta do ta realizojë ëndrrën e tij.