Real Madridi kryeson listën për penallti të fituara në La Liga, ja sa larg është prej vendit të dytë

Real Madridi vazhdoi formën e shkëlqyer në “El Sardinero”, duke siguruar një fitore bindëse 3-0 ndaj Racing Santanderit.

Kylian Mbappe, Jude Bellingham dhe Yan Diomande ishin autorët e golave për skuadrën e Jose Mourinhos në këtë ndeshje.

Goli i francezit bëri që ai të shënonte kundër kundërshtarit të 24-të të ndryshëm në La Liga, por realizimi i tij erdhi në rrethana kontroverse.

Mbappe fitoi një penallti të diskutueshme, ndërsa menjëherë pas ndeshjes u ngritën pikëpyetje nëse ai ishte rrëzuar qëllimisht për ta fituar atë.

Sipas “Mundo Deportivo”, penalltia e akorduar në favor të Mbappes në “El Sardinero” ishte e 601-ta në historinë e Real Madridit në La Liga.

Kjo bëri që “Los Blancos” ta thellonin edhe më shumë epërsinë si klubi që ka përfituar më së shumti penallti në historinë e këtij kompeticioni.

Ish-arbitri Eduardo Iturralde Gonzalez argumentoi se kontakti nuk ishte i mjaftueshëm për të akorduar një penallti.

Barcelona renditet e dyta në këtë listë me 520 penallti të fituara, e ndjekur nga Atletico Madridi me 498.

Real Madridi ka përfituar 81 penallti më shumë se skuadra më e afërt në këtë renditje dhe 103 më shumë se rivali i tij lokal, Atletico Madridi.

Ky trend vazhdon edhe në shekullin XXI. Gjatë kësaj periudhe, Real Madridi kryeson renditjen me 235 penallti të akorduara në favor të tij.

Pas tij vijnë Barcelona me 204 dhe Athletic Club me 171. Interesant është fakti se Atletico Madridi nuk bën pjesë në tri skuadrat e para në këtë renditje.

Shifra të tilla zakonisht bëjnë që tifozët kundërshtarë të rikthejnë argumentin se Real Madridi favorizohet nga gjyqtarët.

Megjithatë, numri i përgjithshëm i penalltive të akorduara në favor të “Los Blancos” nuk dëshmon automatikisht se gjyqtarët kanë favorizuar klubin madrilen.

Real Madridi historikisht ka pasur sulmues më të paparashikueshëm dhe më të shpejtë, të cilët shkëlqejnë në aksionet e tranzicionit.

Mundësia për të fituar një penallti është dukshëm më e madhe kur një futbollist depërton me shpejtësi drejt portës, sesa kur skuadra e mban topin për periudha të gjata.

Ndonëse disa penallti, si ajo ndaj Racing Santanderit, mund të shkaktojnë polemika, vendime të tilla herë pas here janë në favor të çdo skuadre.

Ajo që ka rëndësi është se, edhe pa atë penallti, “Los Blancos” zhvilluan një futboll spektakolar ndaj “Verdiblancos”.

Mourinho po arrin ta bëjë skuadrën e tij të funksionojë në nivelin më të lartë pikërisht në momentin e duhur, ndërsa mbetet të shihet se si do të paraqitet ajo ndaj AEK Athensit në mesin e javës në Ligën e Kampionëve.