Hoti dhe Thaçi diskutojnë për vlerat e Luftës Çlirimtare dhe shërbimet sociale
Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, është takuar me kryetarin e Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, me të cilin ka diskutuar për çështje me interes të përbashkët.
Sipas njoftimit të Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, në takim, ku ishin të pranishme edhe drejtoresha e Kulturës, Ilire Kelmendi-Shema, dhe drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Albertina Dedinca, u diskutua për iniciativa komunale që ndërlidhen me ruajtjen dhe afirmimin e vlerave të Luftës Çlirimtare.
“Ministri Hoti e mirëpriti këtë iniciativë dhe i njoftoi përfaqësuesit e komunës për procesin e hartimit të bazës ligjore për rregullimin e Vlerave të Luftës Çlirimtare, si dhe rëndësinë e avancimit të këtij procesi”, thuhet në njoftim.
Ndër të tjera, në takim u diskutua edhe për sfidat në fushën e mbrojtjes sociale në Komunën e Obiliqit, nevojat e qytetarëve dhe mundësitë për përmirësimin e shërbimeve sociale.
“Në takim u theksua rëndësia e bashkërendimit ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal për adresimin e këtyre çështjeve dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët”, thuhet në njoftimin e ministrisë.