Messi drejt rekordit të ri, lë Ronaldon prapa në statistikat e përgjithshme

Lionel Messi vazhdon të shkruajë histori në futbollin botëror, duke iu afruar një tjetër arritjeje të jashtëzakonshme në karrierën e tij profesionale.

Ylli argjentinas ishte protagonist në fitoren 2-1 të Inter Miamit ndaj New England Revolutionit në MLS, ku realizoi një gol dhe dhuroi një asistim, duke vazhduar me statistika mbresëlënëse edhe në moshën 39-vjeçare.

Aktualisht, Messi ka realizuar 26 gola dhe ka regjistruar 13 asistime gjatë këtij sezoni. Në karrierën e tij profesionale, ai numëron 937 gola në 1.184 ndeshje, me një mesatare prej një goli çdo 104 minuta.

Por shifrat e tij bëhen edhe më mbresëlënëse kur llogariten edhe asistimet. Kapiteni i Inter Miamit ka dhuruar gjithsej 428 asistime, duke e çuar në 1.365 numrin e kontributeve në gola për klubin dhe përfaqësuesen.

Kjo do të thotë se argjentinasit i nevojiten edhe vetëm 35 kontribute në gola për të arritur shifrën e jashtëzakonshme prej 1.400.

Forma e tij e fundit e ka afruar edhe më shumë me këtë objektiv. Në 27 ndeshjet e fundit me Inter Miamin dhe përfaqësuesen e Argjentinës, Messi ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në 36 gola.

Ndërkohë, rivaliteti statistikor me Cristiano Ronaldon vazhdon të jetë një nga temat më interesante të futbollit botëror.

Portugezi vazhdon të ketë më shumë gola të realizuar, me 985 në 1.343 ndeshje, 48 më shumë se Messi. Megjithatë, në totalin e golave dhe asistimeve, argjentinasi është përpara rivalit të tij të madh.

Messi ka 1.365 kontribute në gola, për dallim nga Ronaldo, i cili numëron 1.246. Diferenca prej 119 kontributesh vjen kryesisht nga numri më i madh i asistimeve të yllit argjentinas.

Kështu, përderisa Ronaldo vazhdon të kryesojë në numrin e golave të realizuar, Messi mban epërsinë në kontributet e përgjithshme ofensive, duke iu afruar një tjetër shifre historike në karrierën e tij.