Ten Hag e sulmon ashpër Cristiano Ronaldon: Që nga Juventusi e më pas karriera e tij ka mbaruar
Erik ten Hag ka rikthyer polemikat me Cristiano Ronaldon, duke dhënë një vlerësim mjaft të ashpër për periudhën e fundit të karrierës së yllit portugez.
Ish-trajneri i Manchester Unitedit beson se Ronaldo e humbi aftësinë për të performuar në nivelin më të lartë pas largimit nga Real Madrid dhe kalimit te Juventusi.
“Nuk duhet të ketë keqkuptime, Cristiano është një futbollist i madh, njëri prej më të mirëve të të gjitha kohërave. Por gjatë shtatë ose tetë vjetëve të fundit ai nuk ka mundur të japë më të njëjtin nivel. Që nga Juventusi, gjithçka kishte përfunduar”, u shpreh trajneri holandez.
Sipas Ten Hag, Real Madrid tregoi edhe një herë se di të marrë vendimet në kohën e duhur, duke e larguar Ronaldon në një moment kur, sipas tij, portugezi kishte filluar ta humbiste nivelin e dikurshëm.
Holandezi kujtoi edhe problemet gjatë bashkëpunimit me Ronaldon në Manchester United, duke thënë se sulmuesi nuk ishte më në gjendje të përballonte intensitetin e kërkuar në Premierligë.
“Ai nuk mund ta shtynte më veten përtej dhimbjes, të jepte gjithçka çdo ditë dhe të stërvitej në maksimum për të arritur formën e duhur”, shtoi Ten Hag.
Deklaratat e tij vijnë disa vite pas përplasjes së famshme me Ronaldon në Manchester United, e cila përfundoi me ndërprerjen e kontratës së portugezit në nëntor të vitit 2022. /Zëri