Borxhi që duhet shlyer

Vrasja që çoi peshë Kosovën.

Mbase, më shkurt dhe më saktë nuk do të mundë të tregohet se çka na ndodhi në javën e fundit të muajit tetor. Nuk është as hera e parë dhe as e fundit (fatkeqësisht) që një femër vritet nga një mashkull, në atë që tashmë është e kodifikuar si dhunë familjare.

Rrethanat në secilin rast dallojnë, por rrjedha e tragjedisë është pak a shumë e njëjtë, teksa pasojat për një familje janë gati identike. Megjithatë, vrasja e Arlinda Zekajt, në fshatin Vitomiricë të Pejës, doli të jetë, thuaja me të tërat, një Botë në vete, e pakrahasueshme me shumë shembujt e tjerë që na kanë dërrmuar në të kaluarën.

Arlinda Zekaj doli të jetë një gjetje shumë e veçantë njerëzore, dhe një gjendje, edhe më specifike e shoqërisë dhe e mënyrës se si funksionojmë si shtet dhe si pushtet.

Ajo si rrallëkush ndër ne (dhe ky konstatim është alarm në vete, apo jo), i kishte deponuar, nëse mund të thuhet kështu, të gjitha shpresat për shpëtimin e jetës së saj, dhe për sigurimin e statusit të saj të nënës së një djali, në institucionet e sigurisë, të prokurorisë dhe të gjyqësisë.

Arlinda i kishte bërë të gjitha gjërat e duhura, i kishte ndjekur të tëra procedurat që ta fitojë të drejtën për jetë, të cilën e kishte të rrezikuar me themel (siç do të kuptohej në fund), dhe të drejtën për të qenë nënë që kujdeset për të birin.

Në këtë aspekt pra, Arlinda është një gjetje shumë e rrallë ndër ne. Nuk kishte hequr dorë, nuk ishte dorëzuar, nuk ishte zmbrapsur, nuk ishte penduar.

Luftoi deri në çastet e fundit të jetës së saj të ndërprerë nga një sëpatë, në mënyrën më brutale të mundshme, brenda shtëpisë së saj, në prani të djalit. Mbrapa la, siç e dimë tani të gjithë ne që jemi të bashkuar në mosbesim, në dhimbje, në pikëllim dhe në mllef, një histori të dokumentuar mirë të gjitha përpjekjeve të saja që ta ndryshojë fatin e paracaktuar tragjik.

Të thuash, është një tragjikë antike me këtë rrjedhën që nuk mund të shmanget dot dhe ku ai që goditet nga fati i keq, duhet vetëm të pajtohet me te. Në të vërtetë, këtu gjithçka ka mundur të evitohet, falë këmbëngulësisë së Arlinda Zekajt. Pak, fare pak është dashur, që Arlinda të mbetej gjallë dhe që disi, t’i kthehej një jete normale me të birin. Por, gati asgjë nuk funksionoi si duhet në atë relacionin e institucioneve të sigurisë dhe të gjyqësisë me një qytetar të rrezikuar.

Arlinda Zekaj si gjetje e pashoq e kësaj shoqërie (me ndjekjen e pareshtur të rrugëve ligjore për ta siguruar jetën e saj dhe lidhjen me të birin), në këtë mënyrë, me fundin e saj që ka qenë i evitueshëm, u bë një kod për gjendjen e tashme në këtë shoqëri dhe në këtë vend.

Arlinda pra është tash më së shumti dhe mbi të gjitha emër i gjendjes sonë, e cila duhet patjetër të ndryshojë, me themel, jo vetëm në mënyrën se si funksionojnë strukturat e Sundimit të ligjit kudo, në të gjitha nivelet, por edhe në ato vlerat e dëmtuara dhe të kontestuara kulturore, arsimore dhe qytetare ndër ne, të cilat po e marrin tagrin për çdo vjet, gjithnjë e më shumë.

Është kjo një betejë e gjatë që duhet të fitohet prej nesh, prej kësaj shoqërie, nëse duam që më të mos kemi lajme të këtilla tronditëse çfarë ishte ky që lidhej me Arlinda Zekajn.

Nëse do të kemi përkushtimin, guximin dhe urtinë e saj, mund të thuhet me siguri të madhe që do ta fitojmë këtë betejë.

Këtë zaten ia kemi borxh Arlinda Zekajt. Dhe vetvetes, gjithsesi.