Kërkohet paraburgim ndaj një personi, dyshohet se sulmoi mjekun kujdestar në Ferizaj
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi, i dyshuar për sulm ndaj personit zyrtar.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari pasi kishte dërguar babanë e tij për trajtim mjekësor, dyshohet se ka ndërhyrë në punën e personelit shëndetësor dhe më pas e ka goditur me grusht në fytyrë mjekun kujdestar.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, për të pandehurin E.J. ekziston dyshimi i bazuar se më 01.11.2026, rreth orës 00:35, në Ferizaj, rruga ‘Ramadan Rexhepi’, përkatësisht në ambientet e Shërbimit Emergjent Primar – QKMF, i pandehuri ka sulmuar fizikisht të dëmtuarin F.F., – mjekun kujdestar në lidhje me ushtrimin e detyrave të tij zyrtare, në atë mënyrë që, pasi kishte sjellë babanë e tij, i cili ishte në gjendje të dukshme të dehur, për të marrë ndihmë mjekësore, gjatë kohës kur personeli mjekësor ishte duke i ofruar trajtimin e nevojshëm, i pandehuri ka ndërhyrë duke ushtruar presion ndaj personelit mjekësor, me ç’rast për shkak të hapësirës së kufizuar dhe nevojës për zhvillimin e papenguar të trajtimit mjekësor, i është kërkuar që të largohet nga dhoma, mirëpo i pandehuri ka refuzuar dhe më pas e ka goditur një herë me grusht të dëmtuarin F.F., në pjesën e majtë të fytyrës, me të cilën ka kryer veprën penale ‘Sulmi ndaj personit zyrtar’, nga Neni 402, paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Personi dyshohet për veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, ndërsa që nga 1 nëntori gjendet nën masën e ndalimit prej 48 orësh.