Muriqi në listën e Valencias, klubi spanjoll përgatit ofertë për janarin

Vedat Muriqi mund të jetë një nga emrat më të përfolur në afatin kalimtar të dimrit. Sulmuesi i Kosovës ka përfunduar në listën e dëshirave të Valencias, e cila po kërkon përforcime në repartin ofensiv.

Sipas “Fichajes”, drejtuesit e Valencias po shqyrtojnë mundësinë e transferimit të Muriqit në formë huazimi nga Fenerbahçe gjatë janarit të vitit 2027.

Përveç sulmuesit kosovar, në listën e klubit spanjoll gjenden edhe Artem Dovbyk dhe Richarlison, por Muriqi shihet si një profil interesant falë përvojës së tij në La Liga.

Megjithatë, operacioni nuk pritet të jetë i lehtë. Fenerbahçe pagoi 15.5 milionë euro për rikthimin e tij nga Mallorca në verën e vitit 2026, ndërsa kontrata e tij me klubin turk është e vlefshme deri në vitin 2029.

Muriqi ka shënuar tetë gola dhe ka dhënë dy asistime në 16 paraqitje këtë sezon, duke dëshmuar se mbetet një element i rëndësishëm për skuadrën turke. Për këtë arsye, mbetet të shihet nëse Fenerbahçe do të pranojë ta lërë të largohet në mes të sezonit. /Zëri