Hansi Flick i arrin 100 fitore me Barcelonën, vetëm Luis Enrique ishte më i shpejtë
Hansi Flick ka hyrë në një tjetër kapitull të rëndësishëm në historinë e Barcelonës. Trajneri gjerman e regjistroi fitoren e 100-të në stolin katalunas pas triumfit bindës 6-1 ndaj Alavésit.
Flickut i janë dashur vetëm 131 ndeshje zyrtare për të arritur këtë shifër, me një përqindje prej 76.3% të fitoreve.
Në historinë e klubit, vetëm Luis Enrique ishte më i shpejtë, duke arritur 100 fitore pas 126 ndeshjeve. Ndërkohë, Pep Guardiolës i ishin dashur 139 takime.
Në 131 ndeshjet e para, Flick ka regjistruar 100 fitore, 10 barazime dhe 21 humbje. Madje, një e dhënë interesante është se Barcelona nën drejtimin e tij ende nuk ka përfunduar asnjë ndeshje me rezultat 0-0.
Bilanci i tij është edhe më mbresëlënës kur bëhet fjalë për trofetë. Deri tani, gjermani ka fituar pesë tituj me Barcelonën: dy La Liga, dy Superkupa të Spanjës dhe një Kupë të Mbretit.
Trofeu i vetëm madhor që i mungon është Liga e Kampionëve, objektivi kryesor i tij këtë sezon. /Zëri