Chivu i pranon gabimet e Interit pas humbjes në derbi: Na mungon uria dhe agresiviteti i sezonit të kaluar

Trajneri i Interit, Cristian Chivu, nuk e fshehu zhgënjimin pas humbjes 3-1 nga Milani në Derby della Madonnina, duke pranuar se skuadra e tij nuk e nisi ndeshjen në mënyrën e duhur.

Interi pësoi humbjen e parë në Serie A këtë sezon, ndërsa trajneri rumun theksoi se skuadra duhet të ndryshojë qasjen dhe të rikthejë mentalitetin që e karakterizonte edicionin e kaluar.

“Dhemb të humbasësh një derbi, sidomos kur pritshmëritë janë të larta. E nisëm gabim ndeshjen, por nuk mendoj se gjithçka ishte negative. Reaguam, shënuam për 2-1 dhe patëm mundësinë të barazonim, por Maignan bëri një pritje të jashtëzakonshme”, deklaroi Chivu.

Ai pranoi se Interit i mungon vendosmëria që kishte sezonin e kaluar.

“Duhet të rikthejmë urinë dhe agresivitetin. Ndonjëherë e shohim veten në pasqyrën e së kaluarës dhe në atë që kemi ndërtuar, duke i marrë disa gjëra si të mirëqena. Duhet më shumë përulësi, përqendrim dhe qëndrueshmëri”, u shpreh trajneri.

Chivu shpjegoi edhe ndryshimet e detyruara në formacion, pasi disa futbollistë kishin probleme shëndetësore.

“Pio Esposito nuk ishte mirë, ndërsa Bonny kishte temperaturë 39 gradë dhe kishte vjellë për dy ditë. U detyruam të improvizonim”, tregoi ai.

Në fund, trajneri vlerësoi paraqitjen e Milanit dhe kërkoi reagim të menjëhershëm nga skuadra e tij, pasi Interin e pret një tjetër ndeshje e rëndësishme në Rotterdam. /Zëri