Hoti: Qeveria shkel ligjin, nuk e miraton brenda afatit buxhetin për vitin e ardhshëm

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë Kurti se ka shkelur ligjin duke mos e miratuar brenda afatit ligjor, buxhetin për vitin e ardhshëm.

Në një postim në rrjetin e tij social, Facebook, Hoti ka thënë se mbetet e paqartë se si do të shqyrtojë Kuvendi i Kosovës procedurat për projektbuxhetin.

“Neni 22 i Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike e obligon Qeverinë që t’ia dorëzojë Kuvendit të Kosovës projektbuxhetin për vitin e ardhshëm buxhetor jo më vonë se 31 tetor. Sot është 1 nëntor. Projektbuxheti në Qeveri nuk është miratuar ende. Me këtë, Qeveria po shkel afatin e përcaktuar me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike. Është e paqartë se si Kuvendi do të shqyrtojë në procedura kuvendore një projektbuxhet që i dorëzohet Kuvendit pas afatit ligjor.”, ka shkruar Hoti.Deputeti i LDK-së ka thënë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë më parë.  

“Edhe në kohë zgjedhjesh, me Qeveri në detyrë, projektbuxheti është miratuar dhe dorëzuar në Kuvend në përputhje me afatet dhe kërkesat ligjore.”, ka thënë ai.

Sipas tij, shkeljet ligjore e kushtetuese janë bërë praktikë në këto vite të qeverisjes së VV-së dhe partnerëve të saj.

“Dhjetëra ligje janë shpallur antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese. Qeveria dhe Presidenca kanë kryer shkelje të vazhdueshme kushtetuese përmes shkarkimit ose mos-emërimit të zyrtarëve të lartë shtetërorë. Legjislatura aktuale e Kuvendit të Kosovës u themelua përtej afatit kushtetues. Kryeministri nuk u përgjigjet organeve të drejtësisë. Kryeministri e ministrat kanë shkelur aktgjykimin e Gjykatës Supreme duke ushtruar detyrën e anëtarit të qeverisë dhe të deputetit njëkohësisht.”, ka përfunduar Hoti.