Peshqit zebër mund të ndihmojnë në studimin e çrregullimeve të shëndetit mendor

Një model i ri eksperimental, i zhvilluar te peshqit zebër, mund t’u ndihmojë shkencëtarëve të kuptojnë më mirë mekanizmat biologjikë që lidhen me çrregullimet e shëndetit mendor, përfshirë autizmin dhe skizofreninë.

Studiuesit nga Instituti për Biomedicinë dhe Glikomikë i Universitetit Griffith kanë krijuar koleksionin e parë të plotë të modeleve të peshqve zebër, të cilëve u mungojnë anëtarë të familjes së gjeneve neureksinë, të njohura për lidhjen e tyre me çrregullimet psikiatrike.

Sipas rezultateve, peshqit nuk shfaqën ndryshime të dukshme në zhvillimin e hershëm, por me rritjen e tyre u vunë re ndryshime të theksuara në sjelljen sociale, ankth dhe agresivitet, shkruan Medical Xpress, transmeton Gazeta Shneta.

Ky zhvillim i vonuar i ndryshimeve të sjelljes është veçanërisht interesant për studiuesit, pasi paraqet ngjashmëri me mënyrën se si disa çrregullime shfaqen te njerëzit.

Udhëheqësi i hulumtimit, Jean Giacomotto, theksoi se ndryshimet në një familje të caktuar gjenesh mund të ndikojnë ndjeshëm në mënyrën se si organizmat ndërveprojnë me të tjerët dhe reagojnë ndaj mjedisit.

Përdorimi i këtyre modeleve mund t’u japë shkencëtarëve mundësinë të studiojnë ndryshimet në qarqet nervore përpara shfaqjes së simptomave të dukshme.

Hulumtuesit shpresojnë se kjo qasje do të ndihmojë në identifikimin e mekanizmave që qëndrojnë pas këtyre ndryshimeve dhe në studimin e mundësive për trajtime që mund të parandalojnë, vonojnë ose përmirësojnë simptomat.

Studimi është publikuar më 26 tetor 2026 në revistën shkencore Molecular Psychiatry.

Studiuesit theksojnë se bëhet fjalë për një model eksperimental te kafshët, i cili mund të ndihmojë kërkimet e ardhshme, por nuk përbën ende një trajtim të provuar për njerëzit. /Gazeta Shneta