Ndahet nga jeta Leonard Kurti, Drejtori i Klinikës së Biokimisë në QKUK

Është ndarë nga jeta Mr.Ph. Leonard Kurti, specialist i Biokimisë Klinike dhe Drejtor i Klinikës së Biokimisë në QKUK.

Lajmi u bë i ditur nga Oda e Farmacistëve të Kosovës, e cila shprehu mirënjohje për kontributin e tij profesional dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm institucional, si dhe ngushëllime për familjarët, të afërmit dhe kolegët e tij.

“Me pikëllim të thellë, Oda e Farmacistëve të Kosovës mori lajmin për ndarjen nga jeta të kolegut dhe anëtarit tonë, Mr. Ph. Leonard Kurti, specialist i Biokimisë Klinike dhe Drejtor i Klinikës së Biokimisë në QKUK. Ndarja e tij nga jeta përbën një humbje të rëndë për familjen, kolegët dhe komunitetin shëndetësor, të cilit i shërbeu me përkushtim, profesionalizëm dhe dinjitet. Oda e Farmacistëve të Kosovës shpreh mirënjohjen e saj të thellë për kontributin e tij profesional, bashkëpunimin e vazhdueshëm institucional dhe mbështetjen e çmuar ndaj sektorit farmaceutik. Gatishmëria e tij për të ndihmuar, korrektësia dhe mikpritja e treguar ndaj anëtarëve të Odës do të kujtohen gjithmonë me respekt të veçantë”, thuhet në njoftim.