Erdogan: Sulmet ndaj anijeve civile në Detin e Zi duhet të ndalen, situata në rajon mund të përshkallëzohet

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka paralajmëruar se sulmet ndaj anijeve civile në Detin e Zi mund të shkaktojnë një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve në rajon, duke theksuar se një zhvillim i tillë nuk do t’i shërbente interesave të asnjë pale.

Deklarata u bë të shtunën gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i cili ndodhet në Stamboll për një vizitë pune.

Gjatë takimit, dy liderët diskutuan mbi përpjekjet e intensifikuara për të përmirësuar situatën e sigurisë në Detin e Zi dhe për të garantuar lundrimin e sigurt në këtë zonë strategjike.

Erdogani shprehu gjithashtu gatishmërinë e Ankarasë për të kontribuar në përpjekjet diplomatike për përfundimin e luftës në Ukrainë.

“Ne jemi të gatshëm të bëjmë çdo përpjekje të mundshme për të hapur rrugën drejt paqes në Ukrainë”, deklaroi presidenti turk.

Ai u ndal edhe te perspektiva e rindërtimit të Ukrainës pas luftës, duke theksuar se kompanitë turke që kanë vijuar aktivitetin e tyre në vend, pavarësisht konfliktit të nisur në vitin 2022, do të kenë një rol të rëndësishëm në këtë proces.

Takimi mes Erdogan dhe Zelenskyy vjen në një moment kur siguria në Detin e Zi mbetet një çështje kyçe për të dy vendet, veçanërisht për mbrojtjen e transportit detar dhe garantimin e lëvizjes së lirë të anijeve civile.