U braktis nga prindërit kur ishte foshnje dhe u gjet në rrugë nga policët - historia tronditëse e Shqiponjës së BBVK 5 [video]

Me të hyrë të premten në shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 5, vëmendje të madhe ka marrë edhe historia personale e banores Shqiponjë Mustafaj.

Shqiponja, e njohur në rrjetet sociale si influencuese e TikTok-ut, ka rrëfyer edhe më parë në publik historinë e saj të trishtë, atë të një fëmije të braktisur, i cili më pas ishte birësuar nga një familje tjetër.

Një video e shkëputur nga një prej intervistave të saj po qarkullon me të madhe në rrjetin social X (ish-Twitter), duke rikthyer në vëmendje rrëfimin e banores për kërkimin e prindërve të saj biologjikë.

Në këtë intervistë, Shqiponja kishte treguar se ishte gjetur nga një patrullë e Policisë së Drenasit, kur ishte vetëm dyditëshe, në udhëkryqin Orllat-Llapushnik.

“Unë jam Shqiponja dhe jam duke i kërkuar prindërit e mi biologjikë. Për ata shikues që po më shohin për herë të parë, bëhet fjalë për një foshnjë të gjetur nga patrulla e Policisë së Drenasit. Foshnja ka qenë dyditëshe, në udhëkryqin Orllat-Llapushnik. Ajo foshnjë kam qenë unë. Ngjarja ka ndodhur në vitin 2000”, dëgjohet të rrëfejë ajo në videon që po shpërndahet në rrjetet sociale.

Historia e saj ka rikthyer interesimin e publikut, ndërsa tashmë Shqiponja është njëra nga banoret që do të jetë pjesë e aventurës së edicionit të pestë të Big Brother VIP Kosova.