Ndalohet për 48 orë drejtori i Spitalit të Mitrovicës, dyshohet për dhunë në familje

Një person me inicialet G.B. është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”.

Lajmin për teve1.info e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë në Prishtinë, Kaltrina Shala.

Ajo ka bërë të ditur se ndalimi është bërë me urdhër të prokurorit kujdestar, ndërsa Prokurori i Shtetit po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

“Ju konfirmojmë se me urdhër të Prokurorit kujdestar, është ndaluar për 48 orë, personi me inicialet G.B., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Dhuna në familje’, nga neni 248 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ndërkohë, Prokurori i Shtetit po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të këtij rasti”, ka deklaruar Shala.