Protesta në mbi 60 qytete të Italisë, përplasje me policinë në Romë e Torino

Mijëra punëtorë, studentë dhe qytetarë kanë protestuar të premten në mbi 60 qytete të Italisë, në kuadër të një greve të përgjithshme të thirrur nga sindikata USB, kundër rritjes së kostos së jetesës, luftës, riarmatimit dhe politikave të qeverisë së kryeministres Giorgia Meloni.

Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, protestat u zhvilluan kryesisht në mënyrë paqësore, por pati përplasje të kufizuara mes protestuesve dhe policisë në Romë, Torino dhe Viçenca.

Në Romë, një grup protestuesish u shkëput nga marshimi kryesor dhe u drejtua për në Koloseum, ku pati përplasje me policinë. Protestuesit hodhën sende në drejtim të forcave të rendit, vendosën kontejnerë të mbeturinave si barrikada dhe u vunë flakën disa prej tyre.

Në Torino, policia përdori topa uji dhe ndërhyri për të shpërndarë protestuesit pranë ndërtesës së prefekturës.

Ndërkaq, sipas Reutersit, në Milano disa demonstrues hynë në unazën rrugore të qytetit dhe u vunë flakën disa objekteve.

Greva dhe protestat u organizuan nga sindikata USB, me kërkesa për paga më të larta, shërbime publike më të mira, mbrojtje të të drejtave të punëtorëve dhe kundërshtim të shpenzimeve për armatim.

Sipas ANSA-s, sindikata pretendoi se në grevë morën pjesë rreth 1.5 milionë punëtorë dhe qytetarë./rtk