Asgjësohen 5.56 tonë misër me përmbajtje të Aflatoksinës B1 mbi kufijtë e lejuar

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në kuadër të kontrolleve zyrtare për sigurinë e ushqimit dhe ushqimit për kafshë, ka ndaluar përdorimin dhe tregtimin dhe ka mbikëqyrur asgjësimin e 5,560 kilogramëve misër me origjinë nga Serbia, pasi analizat laboratorike kanë konfirmuar përmbajtje të Aflatoksinës B1 mbi kufijtë maksimalë të lejuar.

"Masat janë ndërmarrë ndaj tri subjekteve ekonomike: Agro Com Sh.P.K. në Fushë Kosovë, ku janë asgjësuar 3,270 kg misër; Thermo-1 Sh.P.K. në Prugoc të Prishtinës, ku janë asgjësuar 1,040 kg; dhe NTP “Te Hysi” në Shtime, ku janë asgjësuar 1,250 kg. Asgjësimi është realizuar më 29 tetor 2026, nën mbikëqyrjen e inspektorëve të AUV-së", njofton AUV.

Aflatoksina B1 (AFB1) është një toksinë e prodhuar nga disa lloje myqesh, e cila mund të kontaminojë drithërat, veçanërisht misrin. Ekspozimi i zgjatur ndaj saj mund të shkaktojë dëmtime të mëlçisë dhe të rrisë rrezikun e zhvillimit të kancerit. Përmes ushqimit të kontaminuar për kafshë, ajo mund të shndërrohet në Aflatoksinë M1 dhe të kalojë në qumësht, duke paraqitur rrezik potencial për shëndetin e konsumatorëve.

AUV u bën thirrje fermerëve, prodhuesve dhe tregtarëve të ushqimit për kafshë që të sigurojnë origjinën dhe gjurmueshmërinë e produkteve, të zbatojnë kushtet e duhura të ruajtjes dhe të mos përdorin apo tregtojnë misër për të cilin është konstatuar tejkalim i kufijve të lejuar të Aflatoksinës B1.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe AUV do të vazhdojnë kontrollet zyrtare, analizat laboratorike dhe ndërmarrjen e masave për parandalimin e qarkullimit të produkteve që paraqesin rrezik për shëndetin e njerëzve dhe kafshëve.

"Siguria e ushqimit për kafshë është pjesë thelbësore e mbrojtjes së shëndetit të konsumatorëve dhe sigurisë së të gjithë zinxhirit ushqimor", njofton AUV.