De Biasi e rrëfen historinë e Shqipërisë: “Arrita t'i bindja kosovarët se mrekullia ishte e mundur”

Gianni De Biasi ka kujtuar aventurën e tij me Kombëtaren e Shqipërisë, me të cilën shkroi historinë duke e kualifikuar për herë të parë në Kampionatin Evropian, në vitin 2016.

Trajneri italian tregoi se fillimisht kishte hezitime për ta marrë drejtimin e Shqipërisë, pas një përvoje zhgënjyese te Udinese. Megjithatë, vendosi ta pranonte ofertën dhe nisi një aventurë që do të ndryshonte karrierën e tij.

“Arrita në një moment të ndryshimit të gjeneratës. Shkova pothuajse pa ditur asgjë, por dëshiroja të rikthehesha në lojë. Në dy vitet e para bëmë mjaft mirë, ndërsa në dy vitet e ardhshme arritëm ta ngrinim nivelin”, deklaroi De Biasi.

Ai veçoi edhe rëndësinë e futbollistëve nga Kosova, të cilët i afroi në Kombëtaren shqiptare në një kohë kur Kosova ende nuk ishte e njohur nga FIFA.

“Arrita t'i sjell në Kombëtare futbollistët kosovarë, të cilët ende nuk njiheshin nga FIFA. U rritëm në sasi dhe cilësi. Arrita të krijoja në mendjet e tyre bindjen se mrekullia ishte e mundur, e cila u kurorëzua me kualifikimin në Euro 2016”, përfundoi italiani. /Zëri