Masakra e Padalishtës: 19 anëtarë të familjes u vranë pas shpine
26 marsi i vitit 1999, ishte ditë e kobshme për fshatin Padalishtë të Istogut.
Dy ditë pasi kishin filluar bombardimet e NATO-s, forcat serbe vendosen të hakmerren në civilet e pambrojtur shqiptarë.
Cak i tyre, atë ditë, ishte edhe familja Imeraj nga ky fshat.
Si pasojë e kësaj, u ekzekutuan 19 anëtarë të kësaj familje, mes tyre edhe një fëmijë dy vjeçar.
“Tregon që janë nis për me shku tek banesa e tij ne qytetet”, tha Shefqet Imeraj, familjar.
E gjatë rrugës, vetura e tyre u ndalua nga forcat serbe.
“Tregon që serbët i kanë zhdrypë prej kerri, edhe i kanë kthy mbrapshtë, ku prej mbrapa e kanë ekzekutu vëllaun e tij, mandej nana ka reagu e kanë ekzekutu edhe ato e tana tjerët”, theksoi Imeraj.
Ekzekutimit nga serbët thotë se i shpëtoi kunata dhe vajza e saj.
“Kur tregon që kanë shpëtu, nashta me qëllim që me lanë dëshmitar”
Mirëpo, ajo nuk kishte arritur t’i identifikonte kryerësit e këtij akti, të cilët ishin të maskuar.
“Kur tregon se janë kanë me maskë e ftyre të ngjyrosur”, deklaroi Shefqet Imeraj.
Gjatë gjithë kësaj kohe, Shefqet Imeraj, po i priste familjarët në qytetin e Istogut.
Këtu edhe e mori lajmin se kishte ndodhur më e keqja.
Përkundër kohës së kaluar, Imeraj beson se drejtësia do të vihet në vend.
E dita të cilën e pritën për 27 vjet, erdhi të mërkurën.
Kjo pasi për masakrën e Padalishtës, Policia e Kosovës njoftoi se janë arrestuar dy serbë në Cerkolez dhe Osojan të komunës së Istogut.
Janë këta Zhikica Beloshoviq dhe Gruica Belloshoviq, ndaj të cilëve pas kërkesës së Prokurorisë Speciale, Gjykata Themelore në Prishtinë, u ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.