Prizreni nis subvencionimin e transportit urban më 2 nëntor
Komuna e Prizrenit do të nisë të hënën, më 2 nëntor 2026, zbatimin e programit të subvencionimit të transportit urban, përmes të cilit disa kategori të qytetarëve do të përfitojnë udhëtim falas.
Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka bërë të ditur se subvencionimi do të jetë 1.20 euro për kilometër, për një periudhë pesëvjeçare, me mundësi vazhdimi.
Nga ky program do të përfitojnë personat e dalë nga lufta dhe familjarët e tyre, pensionistët, personat me aftësi të veçanta, policët, pjesëtarët e ushtrisë, zjarrfikësit, punëtorët e arsimit, shërbyesit civilë, nxënësit dhe studentët.
Sipas Totajt, përfituesit do të mund të pajisen me kartela gjatë javës së ardhshme, në zyrat përkatëse, varësisht nga kategoria të cilës i përkasin.
Komuna e Prizrenit ka bërë të ditur se ky program synon të lehtësojë shpenzimet e udhëtimit, të përmirësojë transportin publik, të zvogëlojë ngarkesën në trafik dhe të kontribuojë në mbrojtjen e mjedisit.