Prokuroria Speciale e konfirmon: Përparim Rama u intervistua në cilësinë e të pandehurit, për projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u intervistua sot nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në cilësinë e të dyshuarit lidhur me projektin milionësh “Arkitekti i Kryeqytetit”.

Këtë për lajmi.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta. Ajo tha se Rama dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

“Lidhur me çështjen për të cilën keni kërkuar informata, Prokuroria Speciale ju njofton se personi me inicialet P.R. është intervistuar në cilësinë e të pandehurit, në kuadër të veprimeve hetimore që Prokuroria është duke i zhvilluar në rastin penal “Arkitekti i Kryeqytetit”, lidhur me dyshimet për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Prokuroria Speciale është duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale në përputhje me legjislacionin në fuqi", tha Luta.

Para hyrjes në prokurori, Përparim Rama u shpreh se detyra e tij është ndërtimi i qytetit dhe se organeve të drejtësisë u takon të verifikojnë ligjshmërinë. Ndërkohë, nga ana e subjekteve politike dhe zyrtarëve janë publikuar edhe fatura e dokumente lidhur me pagesat e kësaj projekt-kontrate.