Shiroka-Pula: Zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit shpëton jetë

Zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit po mbetet një nga mesazhet kryesore të fushatave për ndërgjegjësimin e grave, ndërsa kontrollet e rregullta shëndetësore dhe qasja në shërbime diagnostikuese vlerësohen si vendimtare për rritjen e mundësive për trajtim dhe mbijetesë.

Në kuadër të 20-vjetorit të ecjes simbolike në mbështetje të grave të prekura nga kanceri i gjirit, Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit, JETA-VITA, ka organizuar manifestimin tradicional, ku pjesëmarrësve u janë drejtuar presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi.

Presidentja Shiroka-Pula ka theksuar se mesazhi kryesor i këtij aktiviteti është rëndësia e zbulimit të hershëm, duke bërë thirrje që gratë të mos i shtyjnë kontrollet shëndetësore nga frika apo mungesa e informacionit.

“Sot jemi bashkë për ta përcjellë mesazhin e qartë: se zbulimi i hershëm shpëton jetë. Kanceri i gjirit prek shumë gra dhe familje. Përballja me këtë sëmundje kërkon guxim, kujdes dhe mbështetje, por kërkon edhe ndërgjegjësim. Asnjë grua nuk duhet ta shtyjë kontrollin shëndetësor nga frika apo mungesa e informacionit”, ka deklaruar ajo.

Ajo ka bërë të ditur se, sipas të dhënave të Klinikës së Onkologjisë, çdo vit në Kosovë identifikohen rreth 450 deri në 460 gra me kancer të gjirit.

“Sipas Klinikës së Onkologjisë, çdo vit identifikohen rreth 450 deri në 460 gra me kancer të gjirit. Prandaj, ndërgjegjësimi dhe kontrollet e rregullta janë të rëndësishme. Zbulimi i hershëm rrit mundësinë për trajtim të suksesshëm dhe mbijetesë. Duhet të synojmë që sa më shumë gra ta zbulojnë sëmundjen në fazat e para”, ka thënë Shiroka-Pula.

Presidentja ka theksuar se për këtë qëllim nevojiten kontrolle të rregullta, informim i vazhdueshëm dhe shërbime shëndetësore të qasshme për të gjitha gratë.

“Për këtë, nevojiten kontrolle të rregullta, informim i vazhdueshëm dhe shërbime shëndetësore të qasshme për të gjitha gratë. Mamografia ofrohet falas në institucionet publike shëndetësore. Nëpërmjet mamografive mobile, shërbimet po afrohen edhe te gratë në komuna ku mungojnë këto pajisje. Kujdesi për shëndetin nuk duhet të jetë çështje vetëm e Muajit Rozë. Ai duhet të jetë pjesë e angazhimit gjatë gjithë vitit”, ka deklaruar ajo.

Ajo u ka bërë thirrje grave që të kujdesen për shëndetin e tyre dhe të mos i neglizhojnë kontrollet, duke i inkurajuar që të kërkojnë këshilla nga profesionistët shëndetësorë dhe të nxisin edhe gratë e tjera të veprojnë njësoj.

“Prandaj sot u bëj thirrje të gjitha grave: mos e neglizhoni shëndetin tuaj! Kontrollohuni me kohë, bisedoni me profesionistët shëndetësorë, inkurajoni edhe gra të tjera që të kujdesen për veten”, ka thënë presidentja.

Shiroka-Pula ka theksuar se ecja simbolike është edhe një shprehje solidariteti me gratë që aktualisht po trajtohen nga kjo sëmundje, ato që e kanë kaluar atë, si dhe familjet që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur.

“Të dashura gra, sot jemi këtu edhe për t’ju dhënë mbështetje atyre që po përballen me këtë sëmundje. Jemi pranë grave që po trajtohen, pranë atyre që e kanë kaluar këtë betejë, jemi edhe pranë familjeve që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur. Le ta shndërrojmë këtë marsh në një zotim të përbashkët: të flasim më shumë për parandalimin, të kërkojmë kontrolle të rregullta, sepse pas çdo kontrolli mund të qëndrojë një mundësi për zbulim të hershëm dhe pas çdo zbulimi të hershëm një mundësi më e madhe për jetë. Mos harroni, nuk është vetëm Muaji Rozë, por është tërë viti”, ka deklaruar ajo.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka vlerësuar punën e profesionistëve shëndetësorë dhe kontributin e grave që kanë ndarë përvojat e tyre për të ndihmuar në ndërgjegjësimin e shoqërisë.

Ai ka thënë se përkushtimi i punonjësve shëndetësorë nuk kufizohet vetëm në trajtimin mjekësor, por përfshin edhe mbështetjen emocionale dhe komunikimin me pacientet.

“Puna juaj shkon përtej shërbimit mjekësor, është edhe fjala me të cilën e prisni një grua të shqetësuar, durimi për t’iu përgjigjur pyetjeve të saj dhe siguria që i jepni se nuk është vetëm. Faleminderit nga zemra për punën dhe angazhimin tuaj”, ka thënë Vitia.

Ministri ka shprehur respekt të veçantë për gratë që kanë vendosur t’i ndajnë përvojat e tyre, duke përmendur në veçanti Nafijen dhe shoqatën JETA-VITA, e cila tash e 20 vjet është e angazhuar në këtë drejtim.

“Një respekt i veçantë për të gjitha ato gra që kanë vendosur t’i ndajnë përvojat e tyre dhe të na ndihmojnë në përhapjen e këtij mesazhi, në veçanti zonjën Nafije dhe shoqatën JETA-VITA, e cila tash 20 vjet ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, duke arritur një sukses të rëndësishëm. Falë këtij mesazhi, sot në Republikën e Kosovës mbi gjysma e grave që diagnostikohen me kancer të gjirit janë në fazën e parë dhe të dytë, me më shumë shpresë dhe me më shumë jetë”, ka deklaruar Vitia.

Ai ka falënderuar edhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, shoqatat dhe organizatat që janë përfshirë në këtë përpjekje, ndërmarrjet publike e private, mediat dhe të gjithë vullnetarët që kanë ndihmuar në përcjelljen e mesazhit të fushatës.

“Mirënjohje Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, shoqatave dhe organizatave të ndryshme që janë bashkuar në këtë përpjekje dhe faleminderit gjithashtu ndërmarrjeve publike dhe private, e sidomos mediave dhe secilës e secilit që vullnetarisht e mbështeti fushatën dhe përcolli mesazhin e saj në vendet e punës, në familje dhe në komunitet”, ka thënë ai.

Vitia ka theksuar se aktivitetet për ndërgjegjësimin e grave nuk do të përfundojnë me muajin tetor, por do të vazhdojnë gjatë gjithë vitit, me synimin që sa më shumë raste të zbulohen në fazat e hershme.

“Siç tha edhe presidentja, ky muaj nuk do të përfundojë me aktivitetet sa i përket ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Jemi kështu të bashkuar që të vazhdojmë edhe gjatë vitit me shumë angazhime të tjera, me të vetmin synim që sa më shumë gra ta zbulojnë sëmundjen në fazat e para, që sa më shumë grave t’u jepet mundësia për të jetuar dhe që secila grua ta dijë se nuk është e vetme, por është e mbështetur, ashtu siç jemi sot këtu”, shtoi.

Ndërsa drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, ka bërë të ditur se numri i rasteve të reja të kancerit të gjirit këtë vit është i ngjashëm me atë të vitit 2025, por se është shënuar rritje e përqindjes së rasteve të diagnostikuara në stade të hershme.

Sipas tij, mbi 54 për qind e rasteve janë diagnostikuar në fazat e hershme të sëmundjes.

“Të nderuar të pranishëm, të dhënat e këtij viti nga Klinika Onkologjike tregojnë se numri i rasteve të reja të kancerit të gjirit deri më tani është i ngjashëm me atë të vitit 2025, që është faktor pozitiv. Njëkohësisht kemi vërejtur një përqindje më të lartë të rasteve të diagnostikuara në stade të hershme të sëmundjes, mbi 54 për qind. Kjo është një shenjë inkurajuese, e cila dëshmon rëndësinë e edukimit, kontrolleve të rregullta dhe paraqitjes në kohë te profesionistët shëndetësorë”, ka thënë Kurtishi.

Ai ka folur edhe për investimet në Klinikën e Onkologjisë, duke theksuar se përmirësimi i infrastrukturës, pajisjeve dhe mundësive terapeutike ka ndikuar në rritjen e kapaciteteve për trajtimin e pacientëve, si në aspektin onkologjik, ashtu edhe në atë radioterapeutik.

“Falë investimeve të realizuara në Klinikën Onkologjike, përmirësimit të infrastrukturës, pajisjeve dhe mundësive terapeutike, sot kemi kapacitete më të mëdha për trajtimin e pacientëve, si në aspektin onkologjik, ashtu edhe në atë radioterapeutik. Por, çdo investim nuk do të kishte vlerën e plotë pa përkushtimin e profesionistëve tanë shëndetësorë, prandaj shpreh mirënjohjen time të thellë për gjithë stafin e Klinikës Onkologjike për punën e jashtëzakonshme, të palodhshme, profesionalizmin dhe përkushtimin e përditshëm ndaj pacientëve. Falë kësaj pune të përbashkët, trajtimi i sëmundjeve malinje në vendin tonë ka shënuar progres të rëndësishëm dhe ne po ndërtojmë kapacitete të reja që na bëjnë konkurrues me vendet e rajonit”, ka theksuar Kurtishi. /eo