Përparim Rama ftohet për intervistim nga Prokuroria Speciale

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është ftuar për intervistim nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Intervistimi i tij pritet të fillojë në orën 13:00.

Rama pritet të intervistohet lidhur me projektin e “Arkitektit të Kryeqytetit”, i cili lidhet me procedurat e prokurimit publik, vlerën e kontratës prej 12 milionë eurosh, si dhe dyshimet për manipulim të stafit dhe konflikt interesi.

Bëhet fjalë për një kontratë që Komuna e Prishtinës e kishte hapur për “Konsulencë për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit për nevojat e Komunës së Prishtinës”. Kontrata ishte paraparë të kishte kohëzgjatje prej 36 muajsh, ndërsa vlera e saj arrinte në 12 milionë euro.

Projekti ishte kritikuar ashpër nga asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, të cilët kishin ngritur dyshime për arsyeshmërinë e një kontrate të tillë, veçanërisht duke pasur parasysh se Rama vetë është arkitekt.

Në një konferencë për media të mbajtur më 11 gusht 2022, asamblistja e LVV-së, Triera Kasumi-Berisha, kishte deklaruar se Prishtina përballej me probleme të shumta, ndërsa Komuna po planifikonte një tender që, sipas saj, përbënte rreth 13 për qind të buxhetit të përgjithshëm vjetor.

Ajo kishte kritikuar edhe faktin që, sipas saj, tenderi nënçmonte punën e profesionistëve që tashmë ishin të angazhuar në departamentet e Komunës.

“Banorët e këtij qyteti i cili karakterizohet me më së shumti qenë endacakë në rajon, qyteti i cili është mbuluar me mbeturina, ka mungesë të ujit të pijshëm në disa lagje e fshatra, mungesë të ndriçimit publik, mungesë të rrugëve e cilësi të dobët të asfaltit, uzurpim të hapësirave publike e një listë të gjatë me probleme kronike, më emergjente e kanë themelimin e një shërbimi të arkitekti të kryeqytetit i cili Prishtinës i kushton sa 13 për qind e buxhetit të përgjithshëm vjetor”, kishte deklaruar ajo.

Kasumi Berisha kishte pretenduar gjithashtu se tenderi parashihte krijimin e planeve rregulluese që, sipas saj, tashmë ishin realizuar ndër vite.

Ndërkaq, shefi i asamblistëve të LVV-së në atë kohë, Gëzim Sveçla, kishte kritikuar udhëheqjen e Ramës, duke thënë se Prishtina po përkeqësohej dhe se kishte më shumë marketing sesa punë konkrete.

Pas hapjes së tenderit më 22 korrik, Komunës i ishin dashur rreth tre muaj për të përzgjedhur operatorin ekonomik. Projekti iu besua arkitektit Astrit Nixha dhe kompanisë së tij “Anarche”.

Në atë kohë, Rama kishte deklaruar se “Arkitekti i Kryeqytetit” nuk do të ishte vetëm një person, por një shërbim me një numër të madh konsulentësh nga fusha të ndryshme, përfshirë infrastrukturën dhe rregulloret, me synimin edhe të digjitalizimit të shërbimeve komunale.

Ai kishte përmendur se përmes këtij projekti synohej të trajtoheshin edhe projekte të rëndësishme në kryeqytet, si transformimi i Pallatit të Rinisë, Tregut të Gjelbër dhe hapësirave të tjera publike.

Rama thirret për intervistim pak ditë pasi deputeti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi, kishte paralajmëruar se ai mund të ftohej nga Prokuroria Speciale. Azemi e kishte bërë këtë deklaratë pas ndryshimeve në krye të Prokurorisë Speciale. /nacionale