Bebe Rexha s’e harron Grammy-n e humbur, “Meant to Be” e meritonte çmimin

Këngëtarja shqiptaro-amerikane Bebe Rexha ka rikthyer në vëmendje një nga sukseset më të mëdha të karrierës së saj muzikore, “Meant to Be”, duke shprehur bindjen se bashkëpunimi me grupin amerikan Florida Georgia Line meritonte të fitonte çmimin Grammy në vitin 2019.

Përmes një postimi në platformën X, më 25 tetor 2026, artistja iu rikthye ceremonisë së 61-të të Grammy Awards, ku kënga ishte e nominuar në kategorinë e performancës më të mirë country nga një dyshe ose grup.

“‘Meant to Be’ duhej ta kishte fituar një Grammy. Më falni, por nuk më vjen keq”, shkroi Rexha, duke shprehur hapur pakënaqësinë e saj për rezultatin e asaj ceremonie.

Në një tjetër postim, këngëtarja iu drejtua ndjekësve me një pyetje, duke kërkuar të dinte se cila këngë kishte fituar çmimin në kategorinë ku ishte nominuar bashkëpunimi i saj.

Në vitin 2019, trofeu për performancën më të mirë country nga një dyshe ose grup iu dha këngës “Tequila”, interpretuar nga dyshja Dan + Shay. Pasi një fans ia rikujtoi këtë rezultat, Bebe Rexha e ripostoi përgjigjen dhe reagoi me dy fjalë: “Këngë e mirë”.

Ky reagim tregoi se, ndonëse vazhdon të besojë se kënga e saj e meritonte çmimin, artistja nuk e vuri në dyshim cilësinë e krijimit që u shpërblye atë vit.

E publikuar në vitin 2017, “Meant to Be” u shndërrua në një hit ndërkombëtar dhe një nga këngët më të suksesshme të karrierës së Bebe Rexhës. Bashkëpunimi me Florida Georgia Line pati një sukses të jashtëzakonshëm në tregun amerikan, duke qëndruar për 50 javë në vendin e parë të klasifikimit Billboard Hot Country Songs.

Kënga u nominua në kategorinë “Best Country Duo/Group Performance” në Grammy Awards 2019, ndërsa Rexha ishte gjithashtu në garë për çmimin “Best New Artist”, duke shënuar një moment të rëndësishëm në karrierën e saj ndërkombëtare.

Rikthimi i këngëtares te ky nominim, disa vite pas ceremonisë, ka rihapur diskutimin mes fansave për një prej hiteve që shënoi suksesin e saj në muzikën country-pop. Për Bebe Rexhën, duket se “Meant to Be” mbetet një këngë që meritonte një vlerësim edhe më të madh në skenën e muzikës botërore. /kultplus