Luis Enrique ia jep një këshillë Doues
Desire Doue po shkëlqen me Paris Saint-Germain dhe trajneri Luis Enrique dëshiron që talenti francez të vazhdojë në të njëjtën rrugë, pa u ndikuar nga presioni dhe pritshmëritë e mëdha.
21-vjeçari ka qenë në formë të shkëlqyer, duke shënuar katër gola dhe dhënë katër asistime në 12 ndeshje.
Ai shkëlqeu kundër Manchester Cityt dhe Barcelonës në Ligën e Kampionëve, ndërsa realizoi edhe golin e parë sezonal në kampionat ndaj Strasburgut.
Megjithatë, Luis Enrique beson se sfida më e madhe për të është të përballojë vëmendjen e madhe që krijohet rreth tij.
“Për një lojtar me këtë nivel teknik dhe në këtë moshë, gjëja më e vështirë është të menaxhojë zhurmën rreth vetes”, deklaroi trajneri spanjoll.
Ai e lavdëroi Douen për profesionalizmin dhe përkushtimin, duke theksuar se futbollisti dëshiron gjithmonë ta ndihmojë ekipin, edhe kur nuk është në fushë.
“Ka një kapacitet të jashtëzakonshëm pune. Kur e zëvendëson, qëndron në stol duke buzëqeshur, sepse dëshiron të ndihmojë skuadrën”, tha Luis Enrique.
Për trajnerin e PSG-së, mesazhi për talentin francez është i thjeshtë: të mbetet modest, të ruajë ambicien dhe të mos ndryshojë mënyrën se si po luan.
“E inkurajoj të vazhdojë kështu. Të jetë modest dhe ambicioz. Le të vazhdojë të bëjë atë që po bën”, përfundoi ai. /Zëri