Vrasja e shqiptarit në Itali pas sherrit për pazaret e drogës, 29-vjeçari pranon krimin
Një konflikt i dyshuar për borxhe të lidhura me drogën dyshohet se qëndron pas vrasjes së 31-vjeçarit shqiptar Denaldo Maxhallaku në Itali. Një 29-vjeçar italian ka pranuar para hetuesve përgjegjësinë për ngjarjen, ndërsa ka pretenduar se kishte vepruar nga frika për veten dhe familjen e tij. Pas vrasjes, ai dyshohet se ka fshehur trupin e shqiptarit në një pus dhe i ka vënë flakën automjetit të tij, në përpjekje për të zhdukur gjurmët e krimit.
Sipas të dhënave të publikuara nga mediat italiane, Denaldo Maxhallaku ishte zhdukur mbrëmjen e 8 tetorit, pasi ishte larguar nga banesa e tij në Gatteo a Mare, duke i thënë bashkëshortes se do të shkonte në një lokal dhe do të kthehej më vonë. Që prej asaj mbrëmjeje, familja nuk kishte marrë më lajme prej tij.
Hetimet paraprake kanë zbardhur se 31-vjeçari ishte takuar me 29-vjeçarin italian në banesën e këtij të fundit. Gjatë takimit dyshohet se mes tyre ka nisur një debat për një borxh të lidhur me lëndët narkotike, i cili ka përfunduar me përdorimin e armës së zjarrit.
Gjatë marrjes në pyetje, i dyshuari ka pranuar përfshirjen në ngjarje, duke pretenduar se ishte ndier i kërcënuar.
“Kisha frikë për veten dhe familjen time”, mësohet të ketë deklaruar ai para hetuesve.
Pas vrasjes, sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, trupi i shqiptarit është transportuar dhe fshehur në një pus betoni në zonën e Felloniche, në Longiano. Automjeti i tij është djegur, dyshohet me qëllim eliminimin e provave që mund të çonin te autori.
Trupi u gjet pas më shumë se 20 ditësh kërkimesh
Makina e Denaldo Maxhallakut ishte gjetur e djegur mëngjesin e 9 tetorit, disa kilometra larg vendit ku u zbulua më pas trupi i tij. Ky zbulim u bë një nga pistat e rëndësishme të hetimit për karabinierët italianë, të cilët kontrolluan për ditë me radhë zona rurale, kanale dhe puse.
Më 28 tetor, trupi i 31-vjeçarit u gjet në një pus në zonën e Longianos, rreth dhjetë metra në thellësi dhe i zhytur në ujë. Operacioni për nxjerrjen e tij kërkoi ndërhyrjen e zjarrfikësve dhe të ekipeve të specializuara.
Pranë vendit ku u gjet trupi, autoritetet sekuestruan edhe dy gëzhoja pistolete. Autopsia pritet të ndihmojë në përcaktimin e shkakut të saktë të vdekjes dhe në verifikimin e rrethanave të krimit.
Denaldo Maxhallaku punonte si bojaxhi dhe jetonte në Gatteo a Mare. Ai la pas bashkëshorten dhe vajzën e tyre vetëm një vjeçe. Në dëshminë e saj për mediat, bashkëshortja e ka përshkruar si një njeri të përkushtuar ndaj familjes dhe punës, që e donte shumë vajzën e tij.
29-vjeçari italian është ndaluar dhe pritet të përballet me procedurat gjyqësore për vleftësimin e ndalimit. Ndërkohë, hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht motivin dhe dinamikën e vrasjes, ndërsa përgjegjësia penale do të përcaktohet nga drejtësia italiane. /Tch