Gjykata e Apelit sqaron arsyen e mbylljes së seancës për publikun për rastin e vrasjes së Liridona Ademaj

Gjykata e Apelit, ka sqaruar vendimin për mbylljen e një pjese të seancës për publikun për rastin e vrasjes së Liridona Ademaj.

Në sqarim e saj, Gjykata e Apelit ka thënë se vendimi është marrë në kolegji gjykues në përputhje me dispozitat ligjore për shkak të natyrës së çështjeve të trajtuara.

“Ky vendim është marrë nga kolegji gjykues i çështjes penale në fjalë, në përputhje me dispozitat ligjore të procedurës penale, duke pasur parasysh natyrën e çështjeve të trajtuara, të cilat kanë paraqitur nevojën për mbrojtjen e jetës private dhe familjare të pjesëmarrësve në procedurë. Bëjmë me dije se, në këtë çështje penale edhe në procedurën e zhvilluar në shkallë të parë, një pjesë e seancave gjyqësore është mbajtur me dyer të mbyllura”, thuhet në sqarimin e gjykatës.

Gjykata e Apelit ka theksuar se mbetet e përkushtuar ndaj transparencës dhe informimit të drejtë të publikut, duke respektuar njëkohësisht detyrimet ligjore që lidhen me zhvillimin e procedurave gjyqësore dhe mbrojtjen e të drejtave të palëve.