Suspendohen 11 zyrtarë policorë për rastin e Arlinda Zekajt

Policia e Kosovës ka suspenduar 11 zyrtarë policorë lidhur me trajtimin e rastit të viktimës Arlinda Zekaj në Vitomiricë të Pejës.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, suspendimet janë bërë bazuar në rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), ndërsa ndaj zyrtarëve është duke u zhvilluar hetim paraprak për veprimet ose mosveprimet e tyre në trajtimin e rastit.

Në mesin e të suspenduarve janë ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, shefi i Hetimeve Rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Pejë, si dhe shefi i Sektorit të Hetimeve dhe ushtruesi i detyrës së shefit të Sektorit të Operativës në këtë stacion.

Suspendimi përfshin gjithashtu komandantin e Nënstacionit Policor në Vitomiricë dhe katër hetues policorë të Stacionit Policor në Pejë.

Policia e Kosovës bëri të ditur se masat janë ndërmarrë në interes të zhvillimit të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përcaktimit të përgjegjësive individuale për trajtimin e rastit.

PK-ja theksoi se mbetet i përkushtuar në ruajtjen e integritetit dhe ofrimin e shërbimit të drejtë e të paanshëm, si dhe se do të bashkëpunojë me institucionet përkatëse gjatë procesit hetimor.